
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq drejtuesin teknik të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier, Robert Shehaj, që u identifikua me iniciale R.Sh. në njoftimin për shtyp, si dhe shoqërinë “Al Global Oil” sh.a. si person juridik, të akuzuar për ndotjen e lumit Gjanica në vitin 2023.
Të pandehurit, sipas njoftimit të prokurorisë, përballen me akuzën e veprës penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, parashikuar nga neni 201, i Kodit Penal dhe janë marrë të pandehur bazuar në një procedim të vitit 2023.
Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Fierit, ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, e ndodhur në Drizë të njësisë Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.
Por provat e mbledhura gjatë hetimit treguan se ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure, të gjeneruara gjatë funksionimit të uzinës dhe të mbetura në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të saj, janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica.
“Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – ‘Gjendje e keqe’,” njoftoi Prokuroria e Fierit.
Sipas organit të akuzës, drejtuesi teknik i uzinës “ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë”.
Prokuroria vlerëson se shkelja u krye për përfitim financiar të kompanisë. “Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë ‘Al Global Oil’ sh.a., e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese,” thuhet në njoftim.
Akuzat mbështeten në aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, këqyrjen e vendit të ngjarjes, analizat laboratorike, deklarimet e personave që kanë dijeni dhe aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.
Kjo nuk është hera e parë që kompania “Al Global Oil”, akuzohet për ndotje të Gjanicës. Referuar raportimeve të mëparshme të BIRN, rafineria e naftës ka rezultuar ndër subjektet e gjobitura herë pas here nga Agjencia Rajonale e Mjedisit mes viteve 2019-2023, për shkarkimin e ujërave teknologjike në një kolektor pranë lumit. Ndërsa kompania ka ndryshuar disa herë pronësi gjatë 5 viteve të fundit, detyrën e drejtuesit teknik të saj e ka mbajtur të paktën deri në vitin 2023 ku shënohet dhe incidenti i hetuar nga prokuroria Robert Shehaj.
I pyetur nga BIRN në tetor 2021, Shehaj pati deklaruar se shkarkimet e rafinerisë ishin brenda parametrave, ndonëse pranoi raste të derdhjeve gjatë motit me reshje. Shehaj nuk qe i arritshëm për koment sëfundmi. Prokuroria nuk duket se ka përfshirë në akuzë aksionerët e kompanisë të vitit 2023 dhe as ata që erdhën pas tyre.
Në njoftimin e saj, Prokuroria e Fierit theksoi se ndotja e Gjanicës “përbën një problem të mprehtë mjedisor për cilësinë e ujërave dhe për botën bimore e shtazore të këtij lumi”, duke paralajmëruar vijimin e hetimeve me përparësi në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe Policinë e Shtetit për çdo rast shkarkimi dhe ndjekjen penale të personave fizikë e juridikë përgjegjës.
Dërgimi në gjyq i çështjes së rafinerisë së Fierit vjen pas vitesh denoncimesh për ndotje të vazhdueshme dhe mungesë ndëshkimi penal. I gjatë 42 kilometra dhe degë e lumit Seman, Gjanica konsiderohet si lumi më i ndotur në Shqipëri. Krahas rafinerisë së Fierit, burime historike të shkarkimeve hidrokarbure në shtratin e tij kanë qenë rafineria e Ballshit, stacioni i dekantimit në Visokë dhe gropat ekologjike rreth puseve të naftës në Fier e Mallakastër.






