Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”, Prokuroria kërkon 35 vite burg për autorin

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për shtetasin Vladimir (Valmir) Kola, të akuzuar për vrasjen me paramendim, për motive hakmarrjeje, të shtetasit Briken Sanaj, në zonën e “Kodrës së Diellit” më 30 tetor 2022. Ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes autorit të dyshuar dhe vëllait të viktimës.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal të vitit 2022, Prokuroria vlerësoi se Kola e kishte planifikuar vrasjen për t’u hakmarrë për konfliktin e ndodhur vite më parë me shtetasin R.Sanaj, vëllain e viktimës. Sipas hetimeve, pas krimit ai kishte ndërmarrë veprime për të shmangur gjurmimin, duke hyrë dhe dalë nga Shqipëria përmes Malit të Zi, si dhe duke blerë automjetin e përdorur në ngjarje pa kryer procedurat noteriale.
Përveç dënimit të autorit të dyshuar, Prokuroria ka kërkuar edhe burg për katër persona të tjerë, të akuzuar për moskallëzim krimi, përkrahje të autorit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Konkretisht, për shtetasit Gj.K. dhe K.A. është kërkuar përkatësisht dënimi me 3 dhe 2 vite burg. Sipas Prokurorisë, ata kishin dijeni për personin të cilit i kishin shitur automjetin e përdorur në vrasje, por nuk kishin kallëzuar identitetin e tij.
Për shtetasin E.H. është kërkuar dënimi me 5 vite burg, pasi dyshohet se ka pritur Vladimir Kolën në Mal të Zi, e ka përcjellë atë dhe i ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin, duke e ndihmuar pas kryerjes së krimit.
Ndërsa për shtetasin Z.K. është kërkuar dënimi me 2 vite burg, pasi, sipas hetimeve, ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet ku Vladimir Kola kishte drekuar dhe kishte kryer blerjen e automjetit të përdorur në vrasje.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





