Sport

Tetë vite pas festimit historik me shqiponjë, Shaqiri: Ishte emocion, jo politikë!

Xherdan Shaqiri ka rikthyer në vëmendje një prej momenteve më të bujshme të karrierës së tij, festimin me shqiponjë dykrenare në përballjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës 2018 në Rusi.

Në një intervistë për median zvicerane “RSI Sport”, futbollisti shqiptar ka kujtuar atë ndeshje të veçantë, duke zbuluar se atmosfera ishte e tensionuar dhe se provokimet nuk kishin munguar as para dhe as gjatë takimit.

Shaqiri theksoi se në atë përballje objektivi i tij kryesor ishte fitorja sportive dhe jo përcjellja e ndonjë mesazhi politik, pavarësisht se festimi i tij mori më pas një dimension të tillë.

“Për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik”, u shpreh ai.

Sulmuesi pranoi se gjesti i shqiponjës ishte një reagim i çastit, i nxitur nga emocionet e forta të ndeshjes. Sipas tij, situata kishte ngarkuar emocionalisht jo vetëm atë, por edhe Granit Xhakën dhe kapitenin e atëhershëm të Zvicrës, Stephan Lichtsteiner.

Shaqiri foli gjithashtu për reagimin e opinionit publik në Zvicër, duke vënë në dukje se shumë njerëz nuk e kishin kuptuar historinë dhe domethënien që qëndronte pas atij gjesti. Ai kritikoi edhe mënyrën se si mediat e trajtuan çështjen, duke argumentuar se asaj iu dha një rëndësi e tepruar. Sipas tij, sot një festim i tillë nuk do të shkaktonte të njëjtin reagim si në vitin 2018.

Ndeshja mes Zvicrës dhe Serbisë, e vlefshme për fazën e grupeve të Botërorit në Rusi, përfundoi me fitoren 2-1 të helvetëve. Granit Xhaka realizoi golin e barazimit, ndërsa Xherdan Shaqiri shënoi golin vendimtar në minutën e 90-të. Pas golave, të dy futbollistët festuan duke formuar me duar simbolin e shqiponjës dykrenare.

Gjesti shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare, ndërsa FIFA vendosi t’i gjobisë të dy lojtarët për sjellje josportive, pa i pezulluar nga ndeshjet.

Tetë vite pas asaj përballjeje, festimi i Shaqirit vazhdon të mbetet një nga momentet më të diskutuara të historisë së futbollit në Botëror, ndërsa vetë lojtari rikthehet për të sqaruar emocionet dhe qëllimin që, sipas tij, fshiheshin pas atij veprimi.