Gjatë konferencës për media, Çitaku ka thënë se për hartimin e ndryshimeve janë marrë parasysh edhe sugjerimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, me synimin që ligji të jetë më i qëndrueshëm nga aspekti juridik.

“Kjo nismë që filloi si nismë e PDK-së, sot është nismë shtetërore, dhe unë po besoj që ky ka qenë qëllimi ynë dhe kjo ka qenë thirrja që na është bërë ditë e natë në sheshet në Prishtinë e anekënd ku jetojnë shqiptarët. Ne sigurisht që kemi vlerësuar se edhe ligji i kaluar ka qenë i rëndësishëm dhe i dobishëm, mirëpo në momentet e fundit kemi pranuar disa sugjerime konkrete nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të cilët me dashamirësi, me qëllim të mirë, kanë synuar ta mbështesin këtë projekt në mënyrë që ta bëjnë më të qëndrueshëm juridikisht”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se krahas ndryshimeve ligjore, janë dakorduar edhe hapa të tjerë që do të ndërmerren në nivel institucional, në koordinim me kryeministrin Albin Kurti.

“Ligji që miratohet në Kuvend dhe që ka zotimin e qeverisë për zbatim, nuk mbetet vetëm një copë letër. Përveç Ligjit, ne jemi dakorduar me zotëri Kurti edhe për një varg hapash tjerë që do t’i ndërmarrim në kuadër të institucioneve. Do të rezervohem të flas për detajet dhe përmbajtjen e këtij ligji”, theksoi ajo.

Çitaku ka shtuar se gjatë kohës sa do të zgjasë procesi i Apelit do të ketë edhe iniciativa të tjera, ndërsa këtë nismë e ka cilësuar si hapin e parë. Ajo nuk ka dhënë detaje të tjera për përmbajtjen e ndryshimeve, por ka konfirmuar se projektligji i ri pritet të vijë në Kuvend javën e ardhshme.