Pazarin për tenderin e ujësjellësit që u pagua dhe nuk u ndërtua, e bëri ministrja Mirela Kumbaro, deputete dhe drejtuese politike e Qarkut të Gjirokastrës, njohur si “kumbara” e gjithë pazareve dhe poshtërsive në zonën e jugut…
Një ujësjellës që duhej t’u siguronte ujë të pijshëm banorëve të Memaliajt dhe tetë fshatrave përreth u kthye në një aferë tenderash, ku një kompani hartoi dhe dhuroi projektin, dy të tjera fituan kontratën me shkelje të kritereve ligjore, ndërsa kompania që kishte bërë projektin falas u rikthye në lojë si nënkontraktore.
Në qendër të kësaj skeme qëndronte një investim publik prej rreth 4.1 milionë eurosh, për të cilin Gjykata e Posaçme dënoi me burg ish-kryebashkiakun socialist të Memaliajt, Gjolek Guci.
Vendimi i dhënë më 18 nëntor 2026 nga GJKKO e shpalli fajtor Gucin për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, kryer në bashkëpunim, duke e dënuar përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burgim. Për të njëjtën vepër penale u dënua edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë Memaliaj, Edmonda Harizi, me 8 muaj burgim. Të dyve iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.
Por si u ndërtua skema që përfundoi në dyert e SPAK dhe GJKKO-së?
Historia nis më 21 shtator 2020, kur Gjolek Guci, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Memaliaj, nënshkroi një kontratë me kompaninë “Artreum Generation”, e cila mori përsipër t’i dhuronte bashkisë projektin për ndërtimin e ujësjellësit rajonal.
Projekti parashikonte furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Memaliajt dhe fshatrave Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj dhe Krahës.
Në pamje të parë, bëhej fjalë për një projekt të dhuruar pa pagesë. Por hetimet zbuluan se e njëjta kompani që kishte hartuar projektin dhe specifikimet teknike të investimit u përfshi më vonë në realizimin e punimeve si nënkontraktore.
Madje, një nga konstatimet e hetimit ishte se fondi i miratuar për ndërtimin e ujësjellësit, në shumën 493.183.572 lekë, ishte identik me kostot e parashikuara në projektin e dhuruar nga kompania.
Në vitin 2021, Bashkia Memaliaj zhvilloi tenderin për ndërtimin e ujësjellësit, ku fitues u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. dhe “ED Konstruksion” sh.p.k.

Por SPAK konstatoi se kompanitë ishin kualifikuar dhe shpallur fituese pavarësisht mangësive në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në përmbushjen e kritereve të kapacitetit teknik.
Sipas hetimeve, Gjolek Guci dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Edmonda Harizi, Feta Hoxha dhe Bersant Ylli, krijuan avantazhe dhe privilegje të padrejta për kompanitë fituese, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve në procedurën e prokurimit.
Një tjetër shkelje e konstatuar lidhet me kompaninë “Artreum Generation”. Megjithëse kishte hartuar projektin dhe specifikimet teknike të tenderit, ajo u pranua si nënkontraktore e njërit prej operatorëve fitues, në kushtet e konfliktit të interesit dhe pa plotësuar kriteret ligjore.
Kështu, projekti i dhuruar falas u kthye në një nga elementet kryesore të dosjes penale. Kompania që kishte përcaktuar përmbajtjen teknike të investimit u përfshi më pas edhe në realizimin e tij.
Por historia e ujësjellësit të Memaliajt nuk mbyllet me mënyrën se si u zhvillua tenderi.
Nisja e punimeve u promovua më 7 prill 2021, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe Mirela Kumbaros, vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Madje ai njihet si “Mon Kukaleshi” i Kumbaros.
Gjatë hetimit që ka kryer BKH, edhe nëpërmjet përgjimeve dhe dëshmive të personave të proceduar dhe pronarëve të kompanive, emri i ministres Mirela Kumbaro ka dalë si person aktiv në grupin e aferës së këtij tenderi.
Ajo dyshohet se ka ndërhyrë dhe ndikuar te Edi Rama për akordimin e fondit jashtë planifikimit dhe me vlerë 30% më të lartë se kostoja reale, si dhe për dhënien e lejes mjedisore me dokumente fiktive pasi u bë tenderi.
Po ashtu dyshohet se Mirela Kumbaro ka urdhëruar ish-kryebashkiakun Gjolek Guci t’ia japë tenderin pa garë kompanive “KEG” sh.p.k dhe “ED Konstruksion” sh.p.k me pothuajse 100% të fondit limit, ka lejuar kryerjen e pagesave nga Bashkia pa filluar punimet dhe ka ndërhyrë te Komisioni i Prokurimeve Publike për të mos hetuar këtë tender me “flamur të kuq”. SPAK e toleroi ministren, duart e zeza të së cilës dalin në shumë projekte e afera. Megjithatë ka hapur një fraksion më vete. “Pamfleti” e denoncoi disa herë këtë aferë dhe duket se SPAK me GJKKO u vunë në lëvizje. /Pamfleti