Një influencuese australiane ka udhëtuar për më shumë se 32 orë drejt Stambollit të Turqisë, duke marrë me vete 20 mijë dollarë cash të lidhur në trup, për të kryer disa ndërhyrje estetike në fytyrë, qafë dhe buzë.

Bëhet fjalë për Courtney Babic, nga Newcastle, në New South Wales të Australisë, e cila ndau me rreth 36 mijë ndjekësit e saj në “Instagram” përvojën e udhëtimit dhe përgatitjet për ndërhyrjet.

Në një video të publikuar më 16 nëntor, 37-vjeçarja njoftoi se më në fund kishte ardhur dita për t’u nisur drejt Stambollit, ku do t’i nënshtrohej disa procedurave estetike.

 “Po bëhem tmerrësisht nervoze”, është shprehur Babic, duke pranuar se ndihej e frikësuar për ndërhyrjet.

Një nga detajet që tërhoqi vëmendjen ishte mënyra se si kishte transportuar paratë për të paguar klinikën.

“M’u desh të udhëtoja me 20 mijë dollarë të lidhur në trup”, tregoi ajo në video.

37-vjeçarja shpjegoi se kishte zgjedhur të merrte para në dorë, pasi sipas saj, në Turqi kirurgët plastikë shpesh aplikojnë një tarifë shtesë prej 10% për pagesat me kartë ose transfertë bankare.

“John më tha që thjesht të paguaja me kartë, por logjika ime më tha se tani kisha edhe tre mijë dollarë shtesë për t’i shpenzuar si të doja”, u shpreh ajo, duke iu referuar bashkëshortit të saj.

Udhëtimi drejt Turqisë nuk ishte i lehtë për influencuesen, e cila la në Australi bashkëshortin dhe katër fëmijët e saj. Ajo pranoi se ndarja nga familja ishte shumë më e vështirë nga sa e kishte imagjinuar fillimisht.

Djali i saj, Landon, i dhuroi një lodër në formën e një qeni të vogël, të quajtur Lucky, që ta shoqëronte gjatë udhëtimit.

Babic udhëtoi fillimisht për 14 orë e gjysmë, përpara se të ndalonte në Dubai dhe më pas të vazhdonte drejt destinacionit përfundimtar, Stambollit. Ajo tregoi se pagesa për hapësirë shtesë për këmbët në avion ia kishte vlejtur plotësisht.

Pas mbërritjes në Turqi, influencuesja u prit nga një automjet i organizuar nga kirurgu i saj, i cili e transportoi drejt hotelit ku do të qëndronte gjatë trajtimit mjekësor. Në total, udhëtimi nga Newcastle deri në akomodimin e saj në Turqi zgjati 32 orë. Në fund të videos, ajo shfaqet e sistemuar në shtrat, duke shijuar vaktin e fundit të ditës pas udhëtimit të gjatë.

Top Channel