Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta mbështesë qëndrimin e Serbisë ndaj saj. Megjithatë, një kolegj privat në Kosovë thotë se ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me dy universitete publike kineze.

Kolegji Universum i konfirmoi Radios Evropa e Lirë (REL) se gjatë një vizite në Shangai, në tetor të vitit 2026, ka arritur marrëveshje me Universitetin Jiangsu dhe Universitetin Fudan, për bashkëpunim akademik dhe shkëmbime të mundshme studentore.

Marrëveshjet vijnë në një kohë kur Kina ka përdorur bursat, shkëmbimet universitare dhe programet kulturore për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata me studentë dhe institucione në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Studiuesit e ndikimit kinez në rajon i konsiderojnë këto programe pjesë të diplomacisë arsimore të Pekinit dhe instrumente të asaj që njihet si “fuqi e butë” (soft power) – aftësisë për të ndërtuar ndikim përmes tërheqjes, kulturës dhe marrëdhënieve, në vend të detyrimit.

Kjo praktikë ende nuk është shtrirë në Kosovë. Sipas Universumit, marrëveshjet nuk parashohin bursa, por përfshijnë shkëmbime të mundshme studentore dhe forma të tjera të bashkëpunimit akademik.

Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe atyre të Kinës është i mundur edhe pa marrëdhënie diplomatike, “por se duhet trajtuar me kujdes”.

“Gatishmëria e universiteteve kineze mund të shihet si hapje pragmatike për kontakte joformale, jo si ndryshim i qëndrimit të Pekinit ndaj shtetësisë së Kosovës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Si u krijuan lidhjet me universitetet kineze?
Kontaktet u zhvilluan gjatë pjesëmarrjes së përfaqësuesve të kolegjit Universum në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë në Kinë, i cili nisi më 12 tetor në Shangai.

Panairi, i mbështetur nga institucione shtetërore kineze, mblodhi kompani, institute kërkimore dhe universitete për të prezantuar zhvillime në teknologji, robotikë dhe inteligjencë artificiale.

Sipas Ministrisë kineze të Arsimit, në pjesën universitare morën pjesë 63 universitete kineze, të cilat prezantuan 527 projekte inovative.

Gentiana Berisha, drejtuese e Zyrës Ndërkombëtare të Universumit, tha për REL-in se kolegji mori pjesë me ftesë zyrtare të organizatorëve dhe se vizitën e financoi tërësisht vetë.

Delegacioni përbëhej nga përfaqësues të menaxhmentit dhe stafit administrativ, pa pjesëmarrjen e studentëve. Përveç panairit, delegacioni vizitoi edhe kampuse universitare.

“Para kësaj vizite, UNI nuk kishte marrëveshje bashkëpunimi me institucione të arsimit të lartë në Kinë. Gjatë vizitës arritëm marrëveshje me Jiangsu University dhe me Fudan University në Shangai”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kolegjit Universum për REL-in.

Sipas kolegjit, bashkëpunimi përfshin ligjërata dhe projekte të përbashkëta online, konferenca të përbashkëta kërkimore ndërmjet stafit akademik të Universumit dhe universiteteve kineze dhe shkëmbime të studentëve.

Kolegji, i cili bashkëpunon ngushtë me Universitetin Shtetëror të Arizonës në Shtetet e Bashkuara, thotë se po zhvillon bisedime edhe me universitete dhe institute të tjera kërkimore kineze.

REL-i ka kontaktuar universitetet Jiangsu dhe Fudan për të konfirmuar marrëveshjet dhe për të kërkuar më shumë hollësi për bashkëpunimin e parashikuar.

Deri në publikimin e këtij artikulli, ato nuk kanë kthyer përgjigje.

Si e përdor Kina arsimin për të ndërtuar ndikim?
Përmes bursave dhe shkëmbimeve akademike, studentët nga Ballkani Perëndimor kanë mundësi të studiojnë në Kinë, të mësojnë gjuhën dhe të krijojnë lidhje personale e profesionale me institucionet kineze. Sipas studiuesve, përvojat që studentët ndajnë me të tjerët mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si Kina perceptohet në vendet e tyre.

Një hulumtim i REL-it, i publikuar në shkurt të vitit 2026, tregoi se shumë prej studentëve që kishin përfituar nga këto mundësi ndanin përvojat e tyre të jetesës dhe studimit në Kinë me audiencat në vendet e origjinës. Disa kishin një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale. Të tjerë paraqiteshin në media ose në institucione zyrtare kineze, ku tregonin përvojat e tyre pozitive.

Këto përvoja promovohen edhe nga media të lidhura me Kinën, që publikojnë në gjuhët e vendeve të Ballkanit.

Sipas analistëve që folën për REL-in në shkurt, këto programe i shërbejnë një qëllimi afatgjatë për Pekinin. Ato ndihmojnë në krijimin e rrjeteve personale, përhapjen e rrëfimeve të favorshme për Kinën dhe formimin e profesionistëve të ardhshëm që kanë përvojë të drejtpërdrejtë në vend dhe mund ta ndajnë atë kur kthehen në vendet e tyre.

Në disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, mundësitë për bursa dhe shkëmbime studentore ofrohen edhe me ndihmën e Instituteve Konfuci, të cilat prezantohen si institucione arsimore joqeveritare dhe jofitimprurëse, të cilat bashkëorganizohen me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit dhe ofron kurse të gjuhës kineze dhe programe kulturore.

Institutet ofrojnë gjithashtu bursa dhe i ndihmon studentët të aplikojnë për programe të ofruara nga universitete individuale ose nga institucionet kineze në nivel kombëtar.

Institutet Konfuci janë vënë nën vëzhgim edhe në Evropë, ku disa janë mbyllur pas shqetësimeve për lirinë akademike dhe ndikimin politik.

Më 23 tetor 2026, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se Pentagoni i kishte shpallur Institutet Konfuci të financuara nga Kina në SHBA kërcënim për sigurinë kombëtare.

Këto Institute kanë prani në Ballkanin Perëndimor, përfshirë në vende fqinje të Kosovës. Në Kosovë nuk ka një institut të tillë. Institucionet e vendit, ndërkohë, kanë ruajtur orientimin e tyre pro-perëndimor.

Ramadan Ilazi, drejtor i hulumtimeve në QKSS, i cili ka studiuar ndikimin politik të Kinës në Ballkanin Perëndimor, thotë për REL se përvoja e Ballkanit Perëndimor tregon se universitetet, bursat dhe programet kulturore janë pjesë e strategjisë më të gjerë të ndikimit të Kinës.

Sipas tij, përmes këtyre marrëdhënieve, Pekini mund të ndërtojë rrjete njerëzish dhe institucionesh që, me kalimin e kohës, mund të jenë më të hapura ndaj narrativave dhe prioriteteve të tij.

Megjithatë, marrëveshjet e raportuara ndërmjet Universumit dhe universiteteve kineze nuk përfshijnë aktualisht bursa dhe nuk ka të dhëna që ato janë financuar apo drejtuar nga autoritetet kineze si pjesë e një nisme për ndikim politik.

Pengesat politike dhe problemi i pasaportave
Bashkëpunimi akademik zhvillohet përballë një pengese të rëndësishme politike: Kina nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në tetor, përfaqësuesi i Kinës përsëriti se në trajtimin e çështjes së Kosovës duhet të respektohen sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë.

Ky qëndrim nuk e ka penguar kolegjin Universum të krijojë kontakte me universitete kineze, por mund të ndikojë në realizimin e shkëmbimeve studentore.

Sipas kolegjit, shkëmbimet e para pritet të fillojnë në semestrin dimëror të vitit 2027, fillimisht për studentët që posedojnë edhe pasaporta të shteteve të tjera.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në Kinë. Dokumentet e aplikimit dorëzohen në Zyrën Ndërlidhëse të Kinës në Prishtinë, ndërsa shqyrtohen nga Ambasada kineze në Beograd.

Por, mbetet e paqartë nëse dhe me çfarë kushtesh studentët që posedojnë vetëm pasaportën e Kosovës mund të përfitojnë nga marrëveshjet.

REL-i u ka dërguar pyetje për këtë çështje Zyrës Ndërlidhëse dhe Ambasadës kineze, universiteteve të përfshira dhe ministrive të Arsimit në Kosovë e Kinë.

Deri në publikimin e artikullit, nuk ka marrë përgjigje.

Kontaktet akademike me Kinën nuk janë krejtësisht të reja për Kosovën.

Rochester Institute of Technology Kosovo (RIT Kosovo), i njohur edhe si American University in Kosovo, ka konfirmuar për REL-in se disa nga profesorët e tij kanë ligjëruar edhe në RIT China, ndërsa studentët në vitin 2022 kanë marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta online me kampuse të tjera të këtij universiteti, përfshirë atë në Kinë.

Kolegji sqaroi se nuk kishte pasur “shkëmbime fizike të studentëve me RIT China”.

Kontaktet e RIT Kosovo u zhvilluan përmes rrjetit ndërkombëtar të universitetit amerikan.

Ku përfundon bashkëpunimi dhe ku fillon ndikimi?
Për Ilazin, marrëveshjet akademike nuk duhet të shihen të shkëputura nga marrëdhëniet më të gjera të Kinës me Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht nga partneriteti i saj me Serbinë.

Një analizë e QKSS-së e 82 deklaratave dhe fjalimeve zyrtare kineze, sipas tij, ka treguar mbështetje të vazhdueshme të Pekinit për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.

Ai thekson se bashkëpunimi akademik nuk është domosdoshmërisht problematik, por rëndësi kanë kushtet në të cilat zhvillohet.

“Kjo është arsyeja pse kufiri ndërmjet fuqisë së butë dhe asaj që quhet ‘sharp power’ duhet vëzhguar me kujdes, sidomos kur financimi shoqërohet me kufizime mbi temat e ndjeshme, vetëcensurë ose ndikim mbi lirinë akademike”, thotë ai.

Ndërsa Universumi po kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me universitetet në Kinën kontinentale, universiteti më i madh publik i Kosovës ka lidhur marrëveshje me dy universitete në Tajvan.

Në janar të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës nënshkroi një marrëveshje për shkëmbime studentore me Universitetin Kombëtar të Tajvanit. Një muaj më vonë, njoftoi edhe marrëveshjen me Universitetin Kombëtar Sun Yat-sen, e cila përfshin kërkime shkencore, mësimdhënie dhe shkëmbime akademike.

REL-i i ka kërkuar Universitetit të Prishtinës hollësi për zbatimin e marrëveshjeve. Universiteti deri më tani nuk është përgjigjur. Në fillim të vitit 2026, UP-ja i kishte thënë REL-it se nuk kishte bashkëpunim akademik me Kinën.

Tajvani, që qeveriset në mënyrë të pavarur nga Pekini, e ka njohur Kosovën. Kosova nuk e ka njohur Tajvanin. Kina e konsideron ishullin pjesë të territorit të vet dhe kundërshton kontaktet që mund të interpretohen si njohje e sovranitetit të tij.

Sipas burimeve të REL-it, institucionet e Kosovës priren t’i shmangin takimet dhe bashkëpunimet publike me përfaqësues të Tajvanit për të mos nxitur reagime negative nga Pekini./REL

Top Channel