Rritja mesatare e pagave me 27% për 8 174 inspektorë policie është një nga masat e parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027. Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, sipas të cilit rritja e pagave përfshin edhe vjetërsinë në punë.
Gjatë prezantimit të masave të projektbuxhetit, Demo theksoi se dokumenti financiar, i pari që kalon vlerën e 10 miliardë eurove, synon që rritja ekonomike të reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, përmes mbështetjes financiare, uljes së kostove të përditshme dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
“Suksesi i ekonomisë nuk matet vetëm me miliardat në euro, por me atë që ndryshon në jetën e çdo familjeje”, u shpreh ministri.
Përveç rritjes së pagave në polici, projektbuxheti parashikon dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët dhe mbështetjen e familjeve të reja përmes bonusit të bebeve, i cili do të jepet çdo muaj deri në moshën 5 vjeç të fëmijës.
Në paketën e masave përfshihet edhe dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe rritja e bursave për studentët në nevojë nga 10 mijë në 25 mijë lekë.
Një tjetër ndërhyrje që synon të lehtësojë shpenzimet familjare është ulja e TVSH-së në 6% për 54 produkte bazë të shportës ushqimore, mes tyre buka, qumështi, mielli, vaji dhe vezët.
“Që nga buka, qumështi, mielli, vaji e vezët, synimi ynë është që familjet të paguajnë më pak për nevojat e përditshme”, deklaroi Demo.
Ministri përmendi gjithashtu lehtësimin e tatimit mbi pagën për shtresën e mesme, me synimin që një pjesë më e madhe e të ardhurave të mbetet në dispozicion të familjeve.
Sa i përket sigurisë publike, ai tha se buxheti parashikon më shumë mbështetje për Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes investimeve në teknologji, pajisje dhe përmirësimit të kushteve të punës për Policinë e Shtetit.
“Pas çdo uniforme është një njeri, është një familje, është një sakrificë e përditshme që meriton vlerësim”, theksoi ministri, duke iu referuar rritjes së pagave për efektivët.
Demo u ndal edhe te financimi i bashkive, duke nënvizuar se fondet duhet të përkthehen në shërbime më cilësore, mirëmbajtje më të mirë të lagjeve dhe zhvillim të komuniteteve.
“Ky është qëllimi ynë: që rritja e ekonomisë të ndihet në çdo shtëpi shqiptare. Te pensioni i gjyshërve, te paga e prindërve, te mundësitë për fëmijët dhe te siguria e familjes”, u shpreh ai.


