Merita Gremaj ka rrëfyer sërish dhunën dhe abuzimet seksuale që pretendon se ka përjetuar nga bashkëjetuesi i saj, 52-vjeçari Bledar Bakaj, daja i deputetes Zegjine Çaushi. Në një intervistë për emisionin “Me zemër të hapur”, 34-vjeçarja tregoi se është mbajtur peng për 45 ditë, është kërcënuar me vdekje dhe, sipas dëshmisë së saj, është përdhunuar edhe në praninë e djalit të mitur të partnerit.
Ajo tregoi se gjithçka nisi kur Bakaj e futi në makinë me pretendimin se do ta shoqëronte për të kryer kontrolle mjekësore në spital. Në vend të kësaj, sipas saj, ai e dërgoi në një zonë me shkurre në Vlorë, ku e përdhunoi.
“Më futi në makinë gjoja sikur do më çonte mua për vizitë. Babait i tha që do të më dërgonte me ambulancë në Tiranë, por më çoi në shkurret e Vlorës dhe më përdhunoi”, rrëfeu ajo.
Gremaj pretendon se abuzimi seksual dhe dhuna kanë ndodhur edhe në praninë e djalit 10-vjeçar të Bakajt në atë kohë. Ajo thotë se edhe fëmija ishte viktimë e dhunës dhe se përjetimet mund t’i kenë shkaktuar një traumë të rëndë.
“Më ka përdhunuar edhe në sy të djalit të tij 10-vjeçar, më ka dhunuar dhe përdhunuar. Edhe atë fëmijë e ka dhunuar shumë, mirë që shpëtuam kokën prej tij. Ai fëmijë duhet të ketë një ngarkesë shumë të madhe”, deklaroi 34-vjeçarja.
Ajo përshkroi edhe kërcënimet që, sipas saj, i bëheshin për ta detyruar të heshtte. Bakaj i thoshte se do t’i thyente këmbën ose krahun nëse tregonte për abuzimet, ndërsa e kërcënonte edhe me vdekje.
“Gjithçka për mua zgjati 45 ditë, por më duket sikur ka kaluar 450 vite. Më thoshte e ke vendin në varreza, do të të fus në një kuti xhami të të shoh kur të shkëputet mishi nga kocka”, tregoi ajo.
Sipas dëshmisë së saj, arratisja ishte e vështirë dhe në përpjekje për t’u larguar, ajo kaloi nëpër ullishte, ferra dhe kanale. Gremaj thotë se arriti të shpëtonte bashkë me djalin e Bakajt, i cili, sipas saj, e nxiste të largohej.
“Kam ikur me djalin, nëpër ullishte, nëpër ferrat, nëpër kanale. Djali më shpëtoi, djali bën 15-vjeç tani. Thoshte lëre të ikë se po e mban peng, ai e rrihte çdo pasdite. Mbante thikë dhe sëpatë”, rrëfeu ajo.
Dëshmia e 34-vjeçares përmban akuza të rënda për përdhunim, dhunë fizike, kërcënime dhe privim të lirisë, të cilat ajo i ka bërë publike në emisionin televiziv.


