• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, November 19, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Sali Berisha, Çurçilli dhe një marrëveshje mes armiqsh

by Thoma Gëllçi
19/11/2026 18:07
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Sali Berisha ka zbuluar se i ngjan Uinston Çurçillit. Zbulimi është interesant, sepse deri më sot askush nuk e kishte vënë re. Madje, po t’i shohësh me kujdes, të dy burrat duket sikur natyra është përpjekur t’i bëjë sa më të ndryshëm.

Çurçilli ishte i shkurtër, i shëndoshë, pinte uiski dhe tymoste puro. Berisha është i gjatë, i dobët dhe pi, sipas tij, një gotë verë në muaj. Çurçilli nuk njihej për ndonjë talent sportiv. Berisha kur ishte kryeminister, sipas kronikave te kohes,  ka thyer rekordin e vet te qendrimit ne uje  dhe ka ngjitur mijëra shkallë në Murin e Madh Kinez. Çurçilli fitoi çmimin Nobel për Letërsinë me fjalimet e tij. Berisha ka mbajtur mijëra fjalime por për fat të keq, deri tani kanë frymëzuar vetëm Flamur Nokën.

Të dy kanë qenë kryeministra. Madje, të dy kanë humbur zgjedhjet. Çurçilli i humbi në vitin 1945, pasi kishte fituar luftën kundër Hitlerit dhe e pranoi humbjen . Berisha i humbi në vitin 2013 dhe, meqenëse nuk kishte fituar ndonjë luftë, vendosi të mos e pranonte asnjehere humbjen.

Por ngjashmëria më e madhe u zbulua pak ditë më parë.

Berisha u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare të bashkohen me të kundër Edi Ramës. Dikush e pyeti se si mund të bashkohej me njerëzit që deri dje i kishte quajtur tradhtarë, mercenarë dhe shërbëtorë të qeverisë.  Berisha iu përgjigj me një argument historik: «Edhe Çurçilli u bashkua me Stalinin për të mundur Hitlerin!»

Kështu eshte leximi I historise sipas Sali Berishes .

Deri këtu krahasimi mund të pranohej, po të mos kishte një problem të vogël. Çurçilli nuk kishte bashkëpunuar më parë me Hitlerin për të hartuar rregullat e Europës. Ndërsa Berisha ka bashkëpunuar me Ramën për të hartuar rregullat e politikës shqiptare.

Në vitin 2008, kur duhej ndryshuar Kushtetuta dhe sistemi zgjedhor, Berisha dhe Rama u morën vesh për mrekulli. Nuk pati nevojë për ndërmjetës ndërkombëtarë, konferenca paqeje apo aleanca antifashiste. U ulën, ranë dakord dhe krijuan një sistem ku dy partitë e mëdha do ta kishin më të lehtë të ruanin pushtetin, ndërsa të tjerët do ta kishin më të vështirë t’ua merrnin.

Që atëherë, Shqipëria ka pasur një sistem politik ramoberishist. Aq të qëndrueshëm, sa mund të ndryshosh qeverinë, ministrat, deputetët, presidentët dhe kryetarët e bashkive, por dy njerëzit që përcaktojnë jetën politike mbeten po ata.

Rama dhe Berisha zihen çdo ditë. Akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion, krime, tradhti kombëtare dhe të gjitha fatkeqësitë që i kanë ndodhur Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut. Por kur vjen puna te sistemi që i mban të dy në qendër të politikës, bëhen jashtëzakonisht të kujdesshëm.

Është një armiqësi e veçantë. Secili dëshiron ta mundë tjetrin, por asnjëri nuk dëshiron ta humbasë si kundërshtar.

Rama ka nevojë për Berishën që t’u thotë shqiptarëve se alternativa ndaj tij është kthimi i Berishës. Berisha ka nevojë për Ramën që t’u thotë shqiptarëve se alternativa ndaj Ramës është kthimi i Berishës.

Kështu shqiptarëve u mbeten dy mundësi: të mbajnë atë që kanë ose të marrin atë që kanë pasur. Dhe, meqenëse të dyja mundësitë i njohin shumë mirë, zgjedhjet bëhen gjithnjë e më të thjeshta.

Problemi fillon kur shfaqet dikush që nuk dëshiron as njërin, as tjetrin. Kjo është një gjë që as Rama, as Berisha nuk e kanë parashikuar në marrëveshjen e tyre të vitit 2008.

Forcat e reja politike janë një shqetësim serioz për të dy. Rama rrezikon të humbasë pushtetin. Berisha rrezikon të humbasë mundësinë për t’u kthyer në pushtet. Prandaj, ndonëse përdorin metoda të ndryshme, kanë një interes të përbashkët: që askush tjetër të mos bëhet alternativë.

Këtë e tregoi edhe protesta qytetare që vazhdon prej muajsh.

Protestuesit dolën kundër qeverisë së Ramës, por, për habinë e madhe të politikës shqiptare, nuk kërkuan kthimin e Berishës. Ata kërkuan ndryshimin e Kushtetutës, reformimin e sistemit politik, institucione të pavarura dhe luftë kundër korrupsionit.

Këto kërkesa krijuan një situatë të papërshtatshme. Sepse protesta, në vend që të zgjidhte njërin prej dy kundërshtarëve të përhershëm, i vendosi të dy në të njëjtën anë të problemit.

Rama mund ta kundërshtojë protestën me mjetet e pushtetit. Berisha mund të përpiqet ta marrë nën drejtimin e vet. Qëllimet janë të ndryshme, por përfundimi i dëshiruar është i njëjtë: protesta të mos kthehet në një forcë politike të pavarur prej tyre.

Prandaj Berisha tani kërkon bashkimin e gjithë opozitës. Ai është i gatshëm t’i falë tradhtarët, mercenarët dhe shërbëtorët e Ramës.Bile edhe Dash Sulen.  Nuk ka rëndësi çfarë kanë bërë dje. Mjafton të pranojnë sot se komandanti i përgjithshëm është Sali Berisha.

Por partitë e reja kanë një kusht për bashkimin: largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës.

Kjo është e vetmja kërkesë që Berisha nuk mund ta pranojë. Ai është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për shpëtimin e Shqipërisë, me përjashtim të sakrificës që Shqipëria të shpëtojë nga ai.

Dhe këtu kthehemi përsëri te Çurçilli.

Çurçilli u bashkua me Stalinin për të mundur Hitlerin. Berisha, përkundrazi, ka bashkëpunuar me Ramën për të ndërtuar një sistem politik dhe tani kërkon aleancë me kundërshtarët e të dyve për ta larguar Ramën, por pa ndryshuar sistemin.

Nëse do të kërkonim një krahasim me Luftën e Dytë Botërore, do të na duhej të përfytyronim një Çurçill që fillimisht merret vesh me Hitlerin për ndarjen e Europës, pastaj kërkon ndihmën e Stalinit për të mundur Musolinin dhe, në fund, shpall se Europa nuk mund të çlirohet pa u bërë ai kryeministër.

Natyrisht, historia nuk ka njohur një Çurçill të tillë. Por Shqipëria ka fatin të ketë një Berishë.

Ai e di mirë se partitë e reja nuk e pranojnë si udhëheqës. E di se protesta nuk kërkon zëvendësimin e Ramës me Berishën. E di se ndryshimi i sistemit politik që kërkojnë protestuesit do të vinte në diskutim edhe rolin e tij.

Çurçilli e humbi pushtetin në vitin 1945 dhe e pranoi vendimin e zgjedhësve. Berisha mund të fillojë duke pranuar se në politikë ka edhe njerëz të tjerë që mund ta drejtojnë opozitën dhe vendin. Por kjo do të kërkonte një heroizëm që ndoshta as Çurçilli nuk do të kishte guxuar ta ndërmerrte në moshën e Berishës.

Deri atëherë, shqiptarët do të vazhdojnë të kenë dy kundërshtarë të përjetshëm, të cilët luftojnë pa pushim për ta mundur njëri-tjetrin dhe bëjnë gjithçka që të mos munden nga ndonjë i tretë.

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Të gjithë shpresat tek Erioni

Sali Berisha, Çurçilli dhe një marrëveshje mes armiqsh

November 19, 2026
Samiti i Berlinit për sigurinë, Kancelari Merz: Rezultati i luftës në Ukrainë do të formësojë sigurinë e Evropës për një kohë të gjatë, mbështetje Kievit

Samiti i Berlinit për sigurinë, Kancelari Merz: Rezultati i luftës në Ukrainë do të formësojë sigurinë e Evropës për një kohë të gjatë, mbështetje Kievit

November 19, 2026
“Financim deri në 90 mijë euro për bizneset inovative”- Ministrja Ibrahimaj: 6 milionë euro për startup-et në vitin 2027!

“Financim deri në 90 mijë euro për bizneset inovative”- Ministrja Ibrahimaj: 6 milionë euro për startup-et në vitin 2027!

November 19, 2026
Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Corrado Augias, kolosi i gazetarisë dhe kulturës italiane! Reagon dhe presidenti Mattarella

Ndahet nga jeta në moshën 91-vjeçare Corrado Augias, kolosi i gazetarisë dhe kulturës italiane! Reagon dhe presidenti Mattarella

November 19, 2026
Alarmi i ekspertëve për sigurinë, aditivë në produktet e bulmetit! Rreth 1 milionë kilogramë shtesa ushqimore për bulmetin!

Alarmi i ekspertëve për sigurinë, aditivë në produktet e bulmetit! Rreth 1 milionë kilogramë shtesa ushqimore për bulmetin!

November 19, 2026
Kina shpreh hapur interesin për investime në Shqipëri, ambasadorja Chunxue: Bizneset tona duan të investojnë në industrinë e rëndë!

Kina shpreh hapur interesin për investime në Shqipëri, ambasadorja Chunxue: Bizneset tona duan të investojnë në industrinë e rëndë!

November 19, 2026
“Ja çfarë mendoj kur shoh Putin, Xi dhe Trump!”- Rama nga Berlini: Më në fund Evropa vendosi të flasë me Rusinë, duhet të ndodhte!

“Ja çfarë mendoj kur shoh Putin, Xi dhe Trump!”- Rama nga Berlini: Më në fund Evropa vendosi të flasë me Rusinë, duhet të ndodhte!

November 19, 2026
Shtëpia e Bardhë sekuestron telefonat e gazetarëve në Air Force One, justifikimi zyrtar: U bë për arsye sigurie!

Shtëpia e Bardhë sekuestron telefonat e gazetarëve në Air Force One, justifikimi zyrtar: U bë për arsye sigurie!

November 19, 2026
Debatet/ Kufizime të reja për protestat, Komisioni miraton masat! Opozita: Do t’i çojmë në Kushtetuese

Paketa anti-dhunë miratohet mes debatesh në Komision, Opozita: Do ta çojmë në Kushtetuese! PS: Kufizime të përkohshme, synohet…

November 19, 2026
Doli me doping, futbollisti Mudryk akuzon federatën ukrainase: Nuk kisha dëgjuar kurrë për atë substancë!

Doli me doping, futbollisti Mudryk akuzon federatën ukrainase: Nuk kisha dëgjuar kurrë për atë substancë!

November 19, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In