
Pedagogu Aleksandër Biberaj e sheh lëvizjen studentore si një mundësi për të sjellë ndryshimin politik në vend. Për të opozita ndodhet në një situatë përçarjeje dhe se një kandidat i mbështetur nga studentët mund të jetë alternativa për të fituar zgjedhjet në kryeqytet. “Opozita është e përçarë dhe e lodhur. E vetmja shpresë është lëvizja studentore e duhet të ketë një kandidat, që ta mbështesë gjithë opozita”, deklaroi Biberaj.
Sipas tij, një kandidaturë e dalë nga lëvizja studentore, me mbështetjen e forcave opozitare, do të kishte mundësi të sfidonte mazhorancën në Tiranë. “Vetëm një kandidat nga lëvizja studentore mund të dalë kandidat për Tiranën dhe të fitojë zgjedhjet. Nëse Rama nuk bie nga protestat, duhet të bjerë nga humbja në Tiranë. Studentët do e mundin Ramën, edhe me protestë do e mundin, edhe me vota”, theksoi ai.
Ai u ndal edhe te premtimet për mbështetjen e të rinjve në sigurimin e banesave përmes kredive, duke deklaruar se nuk beson në realizimin e tyre. Në përfundim, pedagogu ngriti shqetësimin edhe për kushtet e jetesës në kryeqytet, veçanërisht për trafikun dhe vështirësitë e përditshme të qytetarëve. “Tirana është bërë tmerr, është bërë qytet i pajetueshëm. Trafiku është i tmerrshëm. Sa të jetë Rama kryeministër, vetëm gënjeshtra e vetëm mashtrime do kemi”, përfundoi Biberaj për ”News 24”.
