
Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë në pikëpyetje ashpër vendet europiane për mbështetjen e tyre të vazhdueshme financiare për Ukrainën gjatë konfliktit me Rusinë. Sipas Politico, e cila citon katër zyrtarë europianë të informuar për diskutimin, Trump ka telefonuar papritur në një mbledhje të aleatëve europianë të Ukrainës të enjten.
Trump dhe ndihma për Ukrainën u kthyen në temë qendrore të telefonatës së papritur me aleatët evropianë, sipas burimeve të Politico-s, e cila raporton se ai i ka pyetur pse vazhdojnë të shpenzojnë miliarda për mbështetje ushtarake për Kievin. Telefonata erdhi vetëm disa orë pasi Trump përfundoi një takim me presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun e tij kinez, presidentin Xi Jinping, në Shenzhen, Kinë, shkruan Euronews, duke iu referuar Politico-s.
Sipas burimeve, presidenti amerikan ka telefonuar Berlinin nga avioni i tij privat, Air Force One. Ka insistuar se Putini është serioz për negociatat e ardhshme të paqes për Ukrainën. Tre nga zyrtarët europianë, të cilëve u është garantuar anonimiteti, kanë thënë se Trump është shprehur shumë skeptik për mundësinë që Koalicioni i Vullnetit, një aleancë prej 34 vendesh plus Ukrainën, të vazhdojë të ofrojë ndihmë për Ukrainën.
Njëri prej zyrtarëve ka thënë se Trump është ankuar për faktin se shumë njerëz po vdesin në konflikt. Sipas tij, shumë para po “shpërdorohen” në një luftë që zgjat prej gati pesë vitesh. I njëjti zyrtar ka konfirmuar se lideri amerikan beson se Putini do të bashkëpunojë në negociatat e paqes me Ukrainën.
Koalicioni i Vullnetit përbëhet nga 34 vende, të cilat, së bashku me Ukrainën, janë zotuar të forcojnë mbështetjen kundër agresionit rus. Telefonata e Trump vjen në një moment kur aleatët europianë vijojnë të diskutojnë angazhimet e tyre financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Ndërkohë, presidenti amerikan shpreh dyshime mbi vazhdimin e kësaj ndihme.
