E enjte, 19 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/2 përditësuar 58 minuta më parë
Ekonomi

Buxheti 2027/ Ministri Nufi: Më shumë siguri për qytetarët dhe Forca të Armatosura më të përgatitura

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi e cilëson projektbuxhetin e vitit 2027 si një investim historik në sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e vendit, duke theksuar se financimi për sektorin e mbrojtjes do të arrijë në 76.3 miliardë lekë, ose 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto.

Pas miratimit në parim, në Kuvend, Ministri Nufi thekson se buxheti i vitit të ardhshëm do të mundësojë modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, përmes pajisjes me sisteme të avancuara ushtarake, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe përmirësimit të infrastrukturës mbështetëse.

“Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë siguri dhe për vendin do të thotë Forca të Armatosura më të përgatitura për sfidat e së nesërmes”, u shpreh ministri.

Sipas tij, investimet do të përqendrohen në pajisjen e Forcave të Armatosura me sisteme moderne HIMARS, dronë luftarakë, etj.

Reklamë

“Kjo do të thotë që Forcat e Armatosura, përmes këtij buxheti, do të pajisen me sisteme moderne: sisteme HIMARS, me dronë luftarakë, me sisteme anti-dronë, me sisteme të mbrojtjes ajrore, me avionë krahëfiks e me mjete e kapacitete shtesë për emergjencat civile. Kjo do të thotë përmbushje e angazhimeve dhe reformave si një vend anëtar dhe i përkushtuar në NATO. Ky projektbuxhet mundëson më shumë infrastrukturë për mbështetjen e Forcave të Armatosura”, nënvizon ministri Nufi.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i projektbuxhetit është garantimi i mobilitetit ushtarak dhe forcimi i sigurisë së Korridorit VIII.

Këto investime, sipas ministrit, do të kontribuojnë në përmbushjen e angazhimeve dhe reformave të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Ministri Nufi nënvizoi gjithashtu se buxheti i ri nuk është i orientuar vetëm drejt modernizimit të kapaciteteve dhe pajisjeve, por investon drejtpërdrejt edhe te personeli ushtarak, te zhvillimi i karrierës dhe përmirësimi i kushteve të shërbimit për efektivët me uniformë.

“Njëkohësisht, ky buxhet investon drejtpërdrejt tek njerëzit tanë me uniformë, te karriera e tyre ushtarake dhe kushtet e tyre të shërbimit. Ky është një investim në sigurinë e çdo qytetari dhe në të ardhmen e Republikës së Shqipërisë! Buxheti i vitit 2027 është rezultat një dekade transformimi ekonomik, me një Produkt të Brendshëm Bruto, i cili ka arritur në 30 miliardë euro; me një nivel papunësie, i cili është rekord 8.3%; investime të jashtëzakonshme; dhe me një ulje të ndjeshme të borxhit publik”, theksoi ministri Nufi.

“Ky është një buxhet, i cili kthen rritjen te qytetarët”, përfundoi Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.