Kim Kardashian shpërthen ndaj Lamar Odomit: Nuk e kuptova sa shumë e shfrytëzoi Khloén, derisa pashë dokumentarin

Familja Kardashian ka thyer heshtjen lidhur me dokumentarin e Netflix-it “Untold: The Death and Life of Lamar Odom”, në të cilin trajtohet edhe marrëdhënia e ish-yllit të NBA-së me Khloé Kardashian.
Në episodin e emisionit The Kardashians, të transmetuar të enjten, më 19 nëntor, Kim dhe Khloé komentuan një video ku Lamar Odom pyetej për ish-bashkëshorten e tij gjatë një interviste në aeroport.
Në pamjet e publikuara, ish-basketbollisti shprehej se shpresonte që Khloé të ishte shëruar nga gjithçka kishte përjetuar gjatë marrëdhënies së tyre. Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Kim Kardashian, e cila e cilësoi sjelljen e tij si të çuditshme dhe të papranueshme.
Edhe Khloé nuk i fshehu emocionet, duke shprehur zemërimin për mënyrën se si, sipas saj, ish-bashkëshorti po përpiqet të paraqesë sot historinë e tyre.
“Më vjen keq, por fakti që ai jep intervista dhe shfaqet kaq i zemëruar me mua… A është vërtet në gjendjen e duhur mendore? E di që nuk është. Kushdo që ishte pranë nesh në atë kohë e di se çfarë po ndodhte. Dhe tani ai po përpiqet të më portretizojë si të keqen?”, u shpreh ajo.
Khloé Kardashian dhe Lamar Odom u martuan në vitin 2009, vetëm pak javë pasi u njohën. Në vitin 2015, ajo bëri kërkesë për divorc, por më vonë vendosi ta pezullonte procesin për t’u kujdesur për të, pasi Odom u gjet në gjendje kritike pas një mbidoze droge në vitin 2015. Në vitin 2016, çifti rifilloi procedurat e divorcit.
“Ai më shfrytëzoi, por për mua gjithçka ishte e vërtetë”
Një nga momentet më emocionuese të bisedës ishte kur Khloé pranoi se tashmë e sheh martesën e saj me Lamarin në një këndvështrim krejtësisht tjetër.
Ajo shpjegoi se për vite me radhë kishte besuar se mes tyre kishte pasur dashuri të vërtetë dhe se kujtimet e bukura që kishin ndarë ishin të sinqerta.
“Gjatë gjithë atyre viteve mendoja se ishim të dashuruar dhe se kishim përjetuar kaq shumë gjëra të bukura”, tha Khloé.
Kim ndërhyri duke shprehur bindjen se Lamar mund të ketë qenë më shumë i dashuruar me idenë e marrëdhënies sesa me vetë Khloén.
Kjo ishte edhe mënyra se si Khloé tha se e kupton sot të kaluarën e saj.
“Ai ishte i dashuruar me gjithë atë ide. Ai më përdori. Por për mua gjithçka ishte e vërtetë dhe kjo është ajo që më dhemb më shumë. Të kuptoj se sa shumë jam mashtruar. Mendoni se dua t’i besoj sërish një burri në jetën time? Absolutisht jo. Të gjithë mund të shkojnë në ferr!”, u shpreh ajo e revoltuar.
Edhe Kim pranoi se dokumentari i kishte ndryshuar perceptimin për martesën e motrës së saj.
“Nuk e kuptova se sa shumë kishte përfituar nga ti, derisa pashë këtë dokumentar”, i tha ajo Khloés.
“Edhe unë nuk e kuptova”, u përgjigj kjo e fundit.
Khloé vë në pikëpyetje qëllimin e dokumentarit
Khloé Kardashian shprehu gjithashtu zhgënjimin për mënyrën se si u realizua dokumentari dhe për faktin se martesa e saj me Odomin zuri një pjesë kaq të rëndësishme të rrëfimit.
Ajo tha se kishte pranuar të merrte pjesë duke menduar se produksioni do të përqendrohej te jeta e Lamarit, karriera e tij në basketboll dhe rrugëtimi pas problemeve të rënda shëndetësore.
“Gjatë gjithë kësaj kohe mendoja se po kontribuoja në një kapitull të historisë së tij. Kanë kaluar 11 vjet nga mbidoza dhe prisja që të kishte një zhvillim në rrëfimin e jetës së tij. Nuk e imagjinoja se dokumentari do të përqendrohej pothuajse tërësisht te martesa jonë”, shpjegoi ajo.
Më tej, Khloé vuri në pikëpyetje edhe mesazhin që, sipas saj, dokumentari synonte t’u përcillte shikuesve.
“Cili ishte qëllimi i këtij dokumentari? A donit thjesht t’u kujtonit njerëzve se unë po çmendesha nga shqetësimi për të?”, pyeti ajo, duke iu referuar periudhës së mbidozës së Lamarit dhe përpjekjeve të saj për ta ndihmuar.
Kim e cilësoi dokumentarin si një “mashtrim” dhe nuk e fshehu zemërimin për mënyrën se si ishte trajtuar historia e motrës së saj.
Reagimi i Kim ndaj kërkesës së Lamarit për Chris Jenner
Një tjetër moment që shkaktoi reagimin e Kim ishte takimi i fundit mes Khloés dhe Lamarit, i cili ishte filmuar për emisionin The Kardashians.
Gjatë takimit, Khloé kishte propozuar të telefononte nënën e saj, Kris Jenner, e cila nuk e dinte se e bija ishte takuar me ish-bashkëshortin.
Përgjigjja e Lamarit, i cili tha se kishte nevojë për një menaxher, e irritoi edhe më shumë Kim Kardashian.
“A u përpoq të gjente një menaxher? Dhe jo çfarëdo menaxheri, por vetë Kris Jenner?”, reagoi ajo me indinjatë.
Nga ana tjetër, Khloé e përfundoi diskutimin me një deklaratë të ashpër ndaj atyre që, sipas saj, janë përpjekur të përfitojnë nga ajo dhe familja e saj.
“Ju jeni shfrytëzuesit më të mëdhenj. Keni përfituar nga ne dhe na keni shteruar. Qëndroni larg meje!”, deklaroi ajo.
Për Khloé Kardashian, duket se publikimi i dokumentarit ka rihapur plagë që mendonte se i kishte lënë pas, ndërsa reagimi i Kim tregon se zhgënjimi ndaj Lamar Odomit është tashmë i pranishëm edhe në pjesën tjetër të familjes.
360grade.al



















