Aktivisti Mirjan Aliaj ka reaguar ndaj ndërhyrjes së forcave të policisë për largimin e protestuesve nga bulevardi përpara Kryeministrisë, duke e krahasuar sjelljen e efektivëve me atë të periudhës së diktaturës.
Në një prononcim për News24, gjatë protestës së sotme, Aliaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar ndërhyrjen ndaj qytetarëve me qëllim frikësimin e tyre dhe shuarjen e qëndresës në bulevard.
Sipas aktivistit, veprimet e policisë lidhen edhe me përpjekjet për të penguar zgjerimin e protestës përpara tubimit kombëtar të paralajmëruar më 28 nëntor. Ai u shpreh se qytetarët nuk do të tërhiqen përballë ndërhyrjeve të forcave të rendit.
“Si në diktaturë”, e cilësoi Aliaj situatën, duke pretenduar se qeveria po përpiqet të shfrytëzojë numrin më të vogël të protestuesve për t’i larguar dhe frikësuar ata.
“Po përpiqen të shuajnë protestën që të mos arrijë 28 nëntori. Bëjnë raprezalje. Më 28 nëntor ku do të shkojnë? I kemi parë si iknin me vrap dhe si shtriheshin rrugëve për t’iu shpëtuar furisë së protestave. Të kotë e kanë”, deklaroi aktivisti.
Në fund të prononcimit, Aliaj pretendoi se kryeministri Rama ka frikë nga zhvillimet e protestës dhe u shpreh se largimi i tij nga pushteti është çështje ditësh.














