Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se çdo vendim përfundimtar lidhur me luftën në Ukrainë do të merret vetëm me përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Deklarata vjen pas takimit trepalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin kinez, Xi Jinping, në Shenzhen të Kinës, ku lufta në Ukrainë ishte një nga çështjet e diskutuara.
“Nuk do të merrja asnjë vendim përfundimtar në lidhje me luftën në Ukrainë pa Zelenskyn”, u shpreh Trump.
Gjatë deklaratës së tij, presidenti amerikan komentoi edhe marrëdhëniet mes Putinit dhe Zelenskyt, duke zbuluar se lideri rus ishte shumë i zemëruar me homologun ukrainas për sulmin ndaj Urës së Krimesë. Trump tha se e kuptonte reagimin e Putinit.
Ndërkohë, përjashtimi i Ukrainës nga samiti ka shkaktuar reagime në Kiev. Zelenskyy e ka cilësuar mungesën e vendit të tij në këtë takim si një “gabim të madh”, duke theksuar se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës pa pjesëmarrjen e saj.
Më herët, presidenti ukrainas kishte deklaruar se Trump dhe Xi Jinping kanë ndikim të mjaftueshëm ekonomik dhe politik për të ndalur luftën, nëse bashkërendojnë presionin ndaj Moskës.
Sipas Zelenskyt, kërcënimi me sanksione ndaj tregtisë me Rusinë nga SHBA-ja dhe Kina mund të ndikonte në qëndrimin e Kremlinit dhe të detyronte Putinin të ndalte agresionin.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa Ukraina dhe vendet europiane kërkojnë të jenë pjesë e çdo negociate që përcakton të ardhmen e vendit dhe sigurinë e rajonit.
