Besart Xhaferri mbyll kapitullin në krye të Forumit rinor të PD-së pas katër vitesh: Sfidat që kemi përpara janë të mëdha

19/11/2026 19:54

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka njoftuar përfundimin e detyrës së tij në krye të FRPD-së, pas katër vitesh drejtimi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferri bëri të ditur se drejtimi tranzicional i forumit do t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, i cili do të drejtojë procesin e ripërtëritjes së strukturave rinore në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit të Xhaferrit, grupi i punës i ngritur nga FRPD-ja, nën drejtimin e Bathorjes, do të organizojë procesin e riorganizimit të strukturave, nga degët lokale deri te zgjedhja e Kryetarit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve.

Xhaferri i ka uruar suksese Bathorjes dhe grupit të punës, duke shprehur besimin se procesi do të jetë gjithëpërfshirës dhe demokratik.

Ai ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e të rinjve në protestat, fushatat elektorale dhe aktivitetet politike të Partisë Demokratike, duke theksuar se ata kanë qenë një mbështetje e rëndësishme për forumin.

“Një kapitull mbyllet, por rrugëtimi dhe beteja jonë vazhdojnë! Sot, Forumi Rinor i Partisë Demokratike nis një etapë të re të organizimit dhe ripërtëritjes së tij! Grupi i punës i ngritur nga FRPD, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, merr përsipër organizimin dhe drejtimin e procesit të ripërtëritjes së të gjitha strukturave të Forumit Rinor në mbarë Shqipërinë, nga degët lokale te zgjedhja e Kryetarit Kombëtar, Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe departamenteve.

Nga dita e sotme, përfundon edhe detyra ime si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, ndërsa drejtimi tranzicional i kalon Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja. I uroj Fatjonit dhe të gjithë grupit të punës suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme. Kam besim të plotë se me përkushtimin, energjinë dhe eksperiencën e tyre do të garantojnë një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe dinjitoz, që do ta bëjë FRPD-në edhe më të fortë dhe më të bashkuar.

Ka qenë një nga krenaritë më të mëdha të jetës sime të jem pjesë e kësaj familjeje politike. Rrugëtimi im në FRPD nisi shkurtimisht në vitin 2006, kur isha ende gjimnazist, për të vijuar pas rikthimit nga studimet jashtë vendit në vitin 2015, e deri më sot.
Një falenderim të veçantë dhe të sinqertë dua t’i shpreh Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, Sekretarit të Përgjithshëm, z. Flamur Noka, paraardhësit dhe ish Kryetarin e FRPD z. Belind Këlliçi, drejtuesve politikë të qarqeve dhe të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Partisë Demokratike, për bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë këtyre katër viteve.

Respekti, besimi dhe mbështetja që drejtimi i Partisë Demokratike i ka dhënë Forumit Rinor gjatë kësaj periudhe kanë qenë në nivele edhe më të larta se në të shkuarën. Kjo mbështetje ka qenë thelbësore për punën, organizimin dhe aktivitetin tonë. Jam i bindur se kjo frymë bashkëpunimi dhe vlerësimi për të rinjtë do të vazhdojë e do të forcohet edhe më tej në të ardhmen.

Por nëse ka diçka që ky rrugëtim më ka dhuruar dhe që do ta ruaj si një nga pasuritë më të shtrenjta të jetës sime, janë njerëzit. Janë miqtë që kam pasur dhe do të kem në krah në këtë rrugëtim të vështirë, me sakrifica, përballje dhe sfida politike.

Dua të falënderoj nga zemra Fatjonin, Nikolinin, Armendin, Glaukun, Arvitin, Xhulianin, Jurgenin, Desadën, Enon, Laertin, Xhorxhian, Anxhelon, Mateon, Saimirin, Xhulian, Ajshen, Emiljanon, Arnoldin, Dorelin, Arditin, Fionën, Alesian, Jonin, Klausin, Klarisën, Genin, Rudin, Sevalgonin, Bonën, Yllhanin, Evën, Brunon, Dorin, Arbërin, Artiolën, Bledin, Andin, Sonin, Irakliun, Shyqon, Rein, Endrisonin, Eljanin, Elsidin, Gerin, Brikelin, Dardanin, Lisin, Adin, Vinin, Visin, Kristianin, Çajupin, Marion, Albin, Arlin, Arsenin, Linortin, Luisin, Geraldinën dhe mijëra të tjerë!

Falënderoj këdo që ka ngjitur qoftë edhe një poster, që ka shoqëruar kandidatët tanë në fushatë, që ka shpërndarë fletëpalosje, që ka shërbyer si vëzhgues, numërues apo komisioner dhe që ka dalë në dhjetëra protesta, në shi e në diell, duke sakrifikuar kohën, energjitë dhe shpesh interesat personale për një ideal të përbashkët!

Një familje kaq e madhe, që me përkushtim, guxim dhe sakrificë ka bërë të mundur gjithçka që Forumi Rinor ka arritur gjatë këtyre katër viteve jashtëzakonisht të vështira! FRPD ka qenë zemra dhe motori i çdo proteste, i çdo fushate dhe i çdo aktiviteti të Partisë Demokratike. Në ditët më të vështira, kur shumëkush mund të zgjidhte heshtjen apo dorëzimin, këta të rinj zgjodhën të qëndronin, të përballeshin, të sakrifikonin dhe të luftonin për atë që besojnë. Pa kërkuar asgjë në këmbim, përveç një Shqipërie më të mirë!

Kemi kaluar së bashku ditë të vështira, zhgënjime dhe padrejtësi, por edhe momente që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë. Kemi ndarë lodhjen, sakrificat, shpresat dhe besimin se Shqipëria mund dhe duhet të ndryshojë. Dhe pikërisht këta të rinj, që punojnë dhe sakrifikojnë për idealin, janë prova më e fortë se Partia Demokratike nuk vdes kurrë! Sepse forca e një partie nuk qëndron vetëm te drejtuesit apo te strukturat e saj, por mbi të gjitha te njerëzit që besojnë tek ajo edhe në ditët më të vështira. Dhe FRPD ka mijëra të rinj të tillë, që nuk janë dorëzuar dhe nuk do të dorëzohen kurrë!

Sot largohem nga drejtimi i FRPD-së, por jo nga kjo familje, jo nga miqtë e mi dhe aq më pak nga beteja jonë e përbashkët. Do të jem gjithmonë në krah të tyre, ashtu siç ata kanë qenë në krahun tim. Detyrat ndryshojnë, përgjegjësitë ndryshojnë, por idealet dhe miqësitë e vërteta mbeten përgjithmonë! Sfidat që kemi përpara janë të mëdha. Por janë sfida që nuk kemi luksin t’i humbasim. Sepse nuk bëhet fjalë thjesht për fatin e një partie apo të një brezi politikanësh. Bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë, për lirinë, demokracinë dhe ëndrrën europiane për të cilën të parët tanë dhanë rininë, sakrificat dhe jetën e tyre!

Ne kemi detyrimin historik ta çojmë deri në fund atë ëndërr. T’u lëmë brezave që vijnë një Shqipëri ku të rinjtë nuk detyrohen të largohen për të ndërtuar të ardhmen, ku mundësitë nuk varen nga lidhjet politike dhe ku liria, meritokracia dhe dinjiteti njerëzor nuk janë privilegje, por të drejta të garantuara për çdo qytetar. Është koha ta bëjmë realitet, me çdo kusht! Faleminderit nga zemra secilit prej jush! Për besimin, për mbështetjen, për sakrificat dhe mbi të gjitha për miqësinë tuaj! Ishte nderi dhe krenaria ime t’ju drejtoja këto katër vite! Rroftë Forumi Rinor i Partisë Demokratike! Rroftë Partia Demokratike!”, shkruan ai.

Top Channel