Tela në “Të Paekspozuarit”: Gratë para SPAK po ua kalojnë burrave

Analisti Andi Tela, i ftuar këtë të enjte në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, foli mbi atë që ka ndodhur në Postën e Durrësit, lidhur me zhdukjen e 700 mijë eurove, çështje e cila tashmë ka kaluar në SPAK.
Tela, me batutë, tha se sot në SPAK kemi më shumë gra se burra. Sipas tij, e gjitha kjo vjen nga shembulli i madh që ka dhënë Rama në promovimin e grave në postet më të larta.
“Janë tre gra në hetim, në masë arresti për ngjarjen. Është një grua e katërt që është bërë deputete. Kjo zonja Budini ka marrë rreth 4900 vota në Durrës. Pavarësisht se ishte poshtë në listë, përfitoi nga përfaqësimi gjinor.
Në gjithë këto vite jemi mësuar nga kryeministri se me gratë në drejtim rritet qeverisja. Ky përfaqësim gjinor po bëhet edhe në SPAK. Ka më shumë gra të pandehura se burra. Budini, Balluku, Hyseni, Karçanaj, Mila, Xhaçka në SPAK, nja dy kryebashkiake.
Të gjitha këto gra në SPAK po shkojnë për korrupsion zgjedhor, aktiv, pasi me paratë e shtetit, për grup të strukturuar kriminal. Të gjitha krimet që duhet t’i bënin burrat po i bëjnë gratë. Pa llogaritur një grup ish-ministresh që janë peng në SPAK”, tha Tela.




