Meloni nga samiti i Berlinit: Nuk mund të ketë paqe pa Ukrainën dhe Evropën, Kina të përdorë ndikimin ndaj Rusisë

Europë | 1 minutë më parë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, gjatë fjalës së saj në samitin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Berlin, vuri theksin te domosdoshmëria e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Ukrainës dhe Evropës në çdo proces negociues, ndërsa kërkoi nga Kina të luajë një rol aktiv për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas burimeve nga Palazzo Chigi, kreu i qeverisë italiane komentoi edhe takimin trepalësh të zhvilluar në Shenzhen mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Duke u ndalur te deklarata e përbashkët e samitit të Shenzhenit, Meloni vlerësoi fokusin te stabiliteti strategjik, energjia dhe rreziqet bërthamore, por vuri në dukje mungesën e çdo referimi ndaj luftës në Ukrainë.

“Ne mirëpresim angazhimin për të parandaluar një luftë bërthamore. Megjithatë, teksti nuk përmend asnjë luftë në Ukrainë”, deklaroi kryeministrja italiane.

Sipas Melonit, kjo situatë nxjerr në pah dy elemente kyçe gjeopolitike, ku i pari lidhet me përgjegjësinë e Pekinit.

“Në këtë luftë, kjo ka rëndësi. Nëse Kina dëshiron të jetë një forcë për stabilitet, tani është koha për ta përdorur atë ndikim për ta shtyrë Rusinë drejt paqes së vërtetë”, u shpreh ajo, duke shtuar si pikë të dytë një parim të panegociueshëm për aleatët perëndimorë: “Të gjithë e kuptojnë se nuk mund të ketë paqe në Ukrainë pa Ukrainën. Dhe nuk mund të ketë paqe pa Evropën”.

Duke iu referuar vendimeve të marra më herët në Dublin për krijimin e një ekipi përfaqësues evropian që punon ngushtë me Kievin dhe Uashingtonin, Meloni kërkoi qartësimin e menjëhershëm të objektivave të tij.

“Tani duhet t’i japim këtij ekipi një mandat të qartë: çfarë kërkojmë, çfarë ofrojmë dhe çfarë nuk do ta pranojmë kurrë”, theksoi ajo.

Në përmbyllje, kryeministrja italiane nënvizoi se aleatët evropianë po sjellin propozime konkrete në tryezën e diskutimeve për të ardhmen e sigurisë së Kievit.

“Dhe ne nuk mbërrijmë duarbosh. Ky Koalicion po punon për garancitë e sigurisë, duke përfshirë angazhimin e frymëzuar nga Neni 5 i NATO-s, i propozuar nga Italia, një model që tani është në tryezën e negociatave”, përfundoi Meloni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme