
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e ftuar në emisionin “Top Story”, foli për buxhetin e vitit 2027 dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, duke theksuar se të ardhurat që tejkalojnë planifikimet do të përdoren për mbështetjen e pensionistëve.
“Të gjitha fondet që janë përtej planifikimit të të ardhurave i kemi vendosur në një fond të posaçëm në Bankën e Shqipërisë. Këto fonde kanë destinacion të përcaktuar dhe do të shpenzohen për pensionistët, me qëllim rritjen e të ardhurave të tyre”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo kujtoi se vitin e kaluar rreth 16 milionë euro u vendosën në këtë fond, duke mundësuar shpërndarjen e një bonusi të paplanifikuar për pensionistët në muajin korrik. Ministrja u ndal edhe te vonesat në realizimin e investimeve publike, të cilat i lidhi me procedurat e prokurimit dhe ankimimet. Sipas saj, qeveria synon të centralizojë një pjesë më të madhe të blerjeve publike përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
“Synojmë të rrisim eficiencën e shpenzimeve, në mënyrë që të mos e gjejmë veten në fund të vitit me suficit”, u shpreh ajo. Sa u përket politikave fiskale, Ibrahimaj theksoi se përfituesit kryesorë pritet të jenë familjet me të ardhura të ulëta. “Përfitimi do të jetë më i madh për familjet me të ardhura më të ulëta, ku shpenzimet për ushqime zënë një peshë më të madhe krahasuar me familjen mesatare shqiptare”, përfundoi ministrja.
