Një moment i papritur dhe humoristik ka tërhequr vëmendjen në Berlin, ku kryeministri Edi Rama ka surprizuar me një përqafim nga pas homologun e tij belg, Bart De Wever, në prag të takimit të nivelit të lartë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” për Ukrainën.

Ngjarja u regjistrua në ambientet e Kancelarisë Federale Gjermane, ku liderët evropianë po mblidheshin për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë, mbështetjen për Kievin dhe të ardhmen e sigurisë evropiane.

Teksa kryeministri belg, Bart De Wever, po jepte një deklaratë para mediave, kryeministri Edi Rama iu afrua papritur nga pas dhe e përqafoi, duke e surprizuar me këtë përshëndetje të pazakontë.

"Shqiptari do të jetë aty. Ai gjithmonë vjen nga prapa",-dëgjohet të komentojë me humor kryeministri belg, sipas videos së publikuar nga incidenti.

Mes atmosferës diplomatike dhe diskutimeve mbi të ardhmen e sigurisë evropiane, përqafimi spontan i Ramës dhe komenti humoristik i De Wever ishin një nga momentet më karakteristike nga prapaskenat e Samitit.