Osmani për Bajramin e Hotin: S’mund ta fshehin sabotimin që ia kanë bërë LDK-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, i ka akuzuar kolegët e saj në parti Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti, për sabotim ndaj partisë.
Ajo ka thënë se ata nuk mund ta fshehin sabotimin që ia kanë bërë LDK-së.
Duke komentuar akuzën që para disa ditësh ia bëri Bajrami duke e quajtur “turiste politike”, Osmani ka thënë se kurrë nuk ka qenë “turiste politike” dhe se asnjëherë nuk i ka ndryshuar qëndrimet e saj.
Ajo gjithashtu ka folur për akuzën e Hotit i cili ka deklaruar se “Osmani po e mohon biografinë e saj”.
“Asgjë nuk mohoj unë, gjatë tërë historisë sime politike nuk ka asnjë vendim që nuk i qëndroj prapa”, ka theksuar Osmani.
“Nuk iu kam faj që nuk po kanë mundësi ta fshehin më sabotazhën ndaj LDK-së që e kanë bërë ... mendoj që është problem shumë i madh në politikën e Kosovës, nëse ne sot dalim dhe kritikojmë këtë Qeveri për diçka përderisa për të njëjtën gjë e arsyetojmë një qeveri paraprake, kjo nuk tregon as konsistencë as kredibilitet. Nuk mund të jetë zajednica e Albin Kurtit e keqe, e zajedinica e Hashim Thaçit e e Isa Mustafës e mirë. Jo nëse është e keqe kjo e Kurtit, ka qenë edhe ajo e vitit 2011 e Thaçit e e Isa Mustafës e vitit 2015 me mbi 20 shkelje kushtetuese të konstatuara nga vetë Gjykata”, ka theksuar Osmani në emisionin “Konfront” në KTV.
Ajo ka shtuar se s’ka asnjë shpjegim të dalësh para qytetarëve të Kosovës, e të thuash kjo Qeveri ka bërë keq me zajednicën e ato mirë.
Osmani flet për një koalicion joformal mes VV-së dhe PDK-së
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka dilemë që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë një koalicion joformal dhe se kjo po shihet vazhdimisht nëpër seanca.
Osmani në “Konfront” të KTV-së ka thënë se këto dy parti po bashkëpunojnë në secilën temë, jo vetëm në çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot në Parlament u bë e ditur nga ky koalicioni joformal, PDK-VV, se këto dy parti janë duke punuar në një version të draftit të ri të Ligjit për Specialen. Kushdo që i përcjell seancat e Parlamentit, vendimet që merren, e sidomos pas 6 tetorit e tutje, e sheh një gjë të tillë që në fakt është në secilën temë, jo vetëm te kjo tema e Speciales. Por, është çështje e tyre nëse duan të bashkëpunojnë në formate të tilla, është e drejtë e tyre. Mjafton një shikim pak më i detajuar i diskutimeve, debateve, si e arsyetojnë njëri-tjetrin, e ndihmojnë njëri-tjetrin. Në fakt nuk ka asnjë dilemë që ky është koalicion joformal PDK-VV”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se nuk e kupton se cila është arsyeja e PDK-së për këtë bashkëpunim.
“Ndoshta shpreson që Qeveria ia voton ligjin e ri apo çfarëdo synimi që ka, nuk e di. Nuk e kuptoj, pasi nga tri herë ditë po i ndryshojnë qëndrimet rreth kësaj teme”, tha Osmani.
Osmani: E papranueshme që Speciales t’i hiqet mandati për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së
Ish-presidentja Vjosa Osmani, njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se është e papranueshme që Gjykatës Speciale t’i hiqet mandati për trajtimin e rasteve të vrasjeve të veprimtarëve të LDK-së.
Osmani ka thënë se, pavarësisht dështimit të gjykatave të Kosovës, UNMIK-ut dhe EULEX-it për t’i trajtuar këto raste, familjet e viktimave e kanë parë Gjykatën Speciale si shpresën e fundit për zbardhjen e tyre.
“Për ne është e papranueshme që të hiqet nga mandati i Gjykatës trajtimi i këtyre rasteve. Është totalisht e papranueshme, sepse me vetë faktin që kanë dështuar edhe gjykatat e Kosovës, edhe ato të UNMIK-ut, edhe ato të EULEX-it që t’i trajtojnë këto raste, shpresa e vetme e këtyre familjeve të atdhetarëve të mëdhenj të Kosovës ka qenë që Gjykata Speciale do të merret me to”, ka thënë Osmani të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Ajo ka theksuar se LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për viktimat nga radhët e saj, për vrasjet që kanë ndodhur si gjatë luftës, ashtu edhe pas përfundimit të saj.
Ish-presidentja ka sqaruar se kërkesa për trajtimin e këtyre rasteve nuk nënkupton akuzimin e ndonjë individi dhe se duhet të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Ne nuk e drejtojmë gishtin te ndokush dhe natyrisht që vlen edhe parimi i prezumimit të pafajësisë, por është e papranueshme që t’i hiqet mandati Gjykatës për t’u marrë me raste të tilla, sepse kërkesa për drejtësi e dinjitet të viktimave është një prej parimeve themelore të çdo demokracie”, është shprehur ajo.
Lidhur me qëndrimin e LDK-së lidhur me Gjykatën Speciale, Osmani ka thënë se partia tradicionalisht ka kundërshtuar që Kuvendi të shndërrohet në një institucion që merr rolin e gjykatës.
Ajo ka theksuar se qëndrimi i tyre ka qenë që procesi gjyqësor të trajtohet përmes procedurave në Gjykatën e Apelit, ndërsa krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t'u ofrohet mbështetja e nevojshme financiare dhe profesionale në këtë proces.
Osmani: Ligji për Specialen do t’i dëmtojë ish-krerët e UÇK-së në fazën e Apelit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Specialen nga Kuvendi i Kosovës do t’i dëmtojë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi në fazën e apelimit të vendimit dënuar ndaj tyre.
Ajo ka thënë se Ligji si i tillë nuk do të krijojë asnjë efekt juridik për ta sa i përket dënimit që kanë marrë në shkallën e parë.
“Unë jam e bindur që ai do t’i dëmtoj ata në Apel. Pra e gjithë kjo përpjekje për ta ndryshuar mandatin e Gjykatës Speciale, duke i hequr nga mandati veprat penale që janë në procedura, mendoj që fatkeqësisht mund t’i dëmtojë ata sepse dikush mund ta merr këtë edhe si rrethanë rënduese”, është shprehur Osmani në emisionin “Konfront”, në KTV.
Ajo ka thënë se sot do të duhej të refuzohej përmbysja e vetos së presidentes Justina Shiroka Pula, në mënyrë që Ligji të mos hynte në fuqi.
Osmani ka thënë se kjo do t’i hapte rrugë miratimit të një ligji të ri që do të mund të ishte në përputhje Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Thaçi e Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale, Veseli me 18 e Selimi me 13 vjet burgim.
Osmani: Iniciativa për Ligjin për Specialen është mashtrim i madh për qytetarët, efekti juridik i tij është zero
Ish-presidentja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar si “mashtrim të madh për qytetarët” iniciativën ligjore që synonte ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo nuk prodhon asnjë efekt juridik, ndërsa i shkakton dëme Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Osmani ka thënë se me këtë iniciativë janë keqpërdorur ndjenjat e qytetarëve, të cilët, sipas saj, ishin të shqetësuar për të vërtetën historike të Kosovës dhe narrativat e Serbisë.
“Më duhet të them me keqardhje jashtëzakonisht të madhe që ky ligj, vetë iniciativa për këtë ligj, i cili në esencë kishte për qëllim ta ndryshonte mandatin e Gjykatës Speciale, në vetvete është mashtrim i madh për qytetarët”, ka deklaruar Osmani.
Sipas Osmanit, iniciativa jo vetëm që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës, por njëkohësisht rrezikon të dëmtojë pozitën ndërkombëtare të vendit.
Ajo ka theksuar se Kosova, përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 2014, ka marrë obligime lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale, të cilat nuk mund të ndryshohen vetëm përmes një vendimi të Kuvendit.
Sipas saj, për çdo ndryshim të mandatit kërkohet konsultim me Bashkimin Evropian.
“Lëre që s’është në përputhje me Kushtetutën dhe me obligimet ndërkombëtare që Kosova i ka marrë në vitin 2014, por në të njëjtën kohë i krijon një dëm jashtëzakonisht të madh Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa efektin juridik e ka zero”, është shprehur presidentja.