E premte, 20 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Çmimet e ushqimeve në Shqipëri rriten pesë herë më shumë se në BE
Lajme

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri rriten pesë herë më shumë se në BE

Shqipëria vijon të përballet me një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, me ritme dukshëm më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat për tetorin 2026 tregojnë se çmimet e ushqimeve në vend u rritën me 4,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në Bashkimin Europian rritja ishte vetëm 0,8%. Kjo do të thotë se shtrenjtimi i produkteve ushqimore në Shqipëri ishte rreth pesë herë më i lartë se në vendet e BE-së.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria regjistroi gjithashtu normën më të lartë të rritjes së çmimeve. Pas saj renditet Mali i Zi me 3,9%, Kosova me 3,1%, Maqedonia e Veriut me 2% dhe Serbia me 1,5%. Ndërkohë, brenda Bashkimit Europian, në 11 nga 27 vendet anëtare çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike rezultuan më të ulëta se një vit më parë.

Shtrenjtimi më i madh në Shqipëri është regjistruar te produktet e detit dhe perimet. Peshku dhe produktet e tjera të detit u rritën me 9,9%, ndërsa perimet, zhardhokët dhe bishtajoret me 9,4%. Mishi u shtrenjtua me 4,6%, vajrat dhe yndyrnat me 4,2%, ndërsa frutat me 3,7%. Rritje më të moderuar patën bulmeti dhe vezët, me 2,5%, si dhe drithërat me 0,9%.

Për familjet shqiptare, kjo rritje përkthehet në një barrë gjithnjë e më të rëndë për buxhetin mujor. Sipas të dhënave të INSTAT, perimet zënë rreth një të pestën e shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa i gjithë grupi i ushqimeve përfaqëson 39,8% të buxhetit mujor të konsumit të familjeve.

Presioni mbi çmimet lidhet edhe me tkurrjen e prodhimit bujqësor vendas, i cili në tremujorin e dytë të këtij viti shënoi rënie me 2,3%. Në të njëjtën kohë, varësia nga importet mbetet e lartë. Vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, Shqipëria importoi 142,3 miliardë lekë ushqime, pije dhe duhan, gati trefishin e vlerës së eksporteve për të njëjtin grup produktesh.

Ndërsa çmimet vijojnë të rriten me ritme të larta, fuqia blerëse e qytetarëve mbetet e kufizuar. Diferenca mes kostos së produkteve bazë dhe të ardhurave të familjeve e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme. Në këtë situatë, qeveria po përgatit uljen e TVSH-së për produktet e shportës nga 20% në 6%, masë që pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm. Mbetet për t’u parë nëse kjo ndërhyrje do të reflektohet realisht në çmimet që paguajnë konsumatorët.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.