Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në qendër të Orikumit, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën një 63 vjeçar Xhevair Xhelili i cili udhëtonte në njërin prej automjeteve.

Nga përplasja raportohet gjithashtu për 2 persona të plagosur. Sipas informacioneve paraprake në automjetin tjetër udhëtonin disa punëtorë të huaj të cilët po shkonin drejt zonës bregdetare të Vlorës për punë.

Të plagosurit janë transportuar në spitalin e Vlorës, teksa trupi i viktimës është dërguar në morg.

"Rreth orës 07:20, në aksin rrugor “Orikum-Llogara”, në Fushë Dukat, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin Xh. Xh., rreth 62 vjeç, dyshohet se është përplasur me automjetin tip “Renault”, me drejtues shtetasin M. H.,  36 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasi Xh. Xh.

Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit “Renault”, shtetasi egjiptian M. H., dhe  pasagjeri, shtetasi M. N., rreth 40 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital. 

3 pasagjerët e automjetit tip “Renault” janë shoqëruar në Komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.