Tre persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në Kiev, në një sulm me raketa të trupave ruse. Gjatë natës, dronët sulmuan uzinën kimike “Dorogobuzh” në rajonin e Smolenskut, në Rusi, prodhues i madh i mjeteve shpërthyese që përdoren nga kompleksi ushtarako-industrial rus.
Negociatorët e Moskës kërkuan që Ukraina të heqë dorë nga çdo ambicie për t’u bashkuar me NATO-n. Në një dokument joformal, Rusia kërkoi që Aleanca të angazhohet për të mos vendosur trupa ose pajisje ushtarake në Ukrainë. Po ashtu, furnizimet perëndimore me armë për Kievin të ndërpriten dhe infrastruktura ushtarake e NATO-s në Evropën Lindore të kthehet në nivelet e vitit 1997.
Moska bëri thirrje për tërheqjen e raketave, të afta për të prekur territorin rus nga vendet evropiane e të Kaukazit, si dhe revokimin e ofertave të mbrojtjes bërthamore të Francës e Mbretërisë së Bashkuar për shtetet e tjera. Negociatorët evropianë i konsideruan këto kërkesa si pozicione fillestare, jo si propozim përfundimtar për një marrëveshje.
Nga avioni presidencial “Air Force One”, presidenti amerikan, Donald Trump telefonoi liderët evropianë të mbledhur në Berlin për samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve”, duke i informuar për bisedimet me presidentin rus Vladimir Putin, që sipas Trump-it kërkon paqen.
Presidenti amerikan shprehu rezerva të forta në lidhje me ofrimin e ndihmës së re financiare, në vlerë prej 70 miliardë eurosh, për Ukrainën. Më herët, Trump deklaroi se nuk do të merrte “asnjë vendim përfundimtar për luftën në Ukrainë pa Zelenskyn”. Në samit mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha:
Europa bëri gabim strategjik që ndërpreu dialogun me Rusinë.