Gëlltiti një kapuç dhe nuk arriti të mbijetonte! Trishtim në SHBA për ngordhjen e hipopotamit të famshëm Fiona, historia e lindjes së parakohshme dhe lufta për ta shpëtuar

Trishtim të madh ka shkaktuar në SHBA ngordhja e Fiona-s, një prej hipopotamëve më të njohur në vend, pasi gëlltiti një kapuç të thurur që përfundoi aksidentalisht në hapësirën ku ajo qëndronte në kopshtin zoologjik të Cincinnati-t. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të veterinerëve për ta shpëtuar, kafsha nuk arriti të mbijetonte.

Sipas Associated Press, kapuçi ra pranë saj pasi një vizitor e hodhi në ajër, ai u përplas me një ventilator në tavan dhe përfundoi në ambientin e hipopotamit. Fiona e gëlltiti atë pa shfaqur fillimisht simptoma, por disa ditë më vonë filloi të humbiste oreksin.

Veterinerët shmangën ndërhyrjen kirurgjikale, pasi e konsideruan tepër të rrezikshme për një hipopotam të rritur që peshonte rreth 1.113 kilogramë. Në vend të saj, provuan metoda alternative për ta ndihmuar të nxirrte objektin përmes sistemit tretës, përfshirë përdorimin e një platforme vibruese. Megjithatë, përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Fiona u bë e famshme në mbarë botën në vitin 2017, kur lindi gjashtë javë para kohe, duke peshuar vetëm 13.2 kilogramë. Në atë kohë, stafi i kopshtit zoologjik u kujdes për të me përkushtim, pasi ishte tepër e dobët për t’u ushqyer vetë. Historia e mbijetesës së saj e ktheu në një simbol të dashur për miliona njerëz.
Pas lajmit për vdekjen e saj, shumë admirues shkuan në kopshtin zoologjik për t’i dhënë lamtumirën. Kryetari i bashkisë së Cincinnati-t e cilësoi Fiona-n si simbol të këmbënguljes dhe gëzimit, ndërsa guvernatori i Ohajos e përshkroi si një ikonë të vërtetë.
/vizionplus.tv





