Detaje të tjera bëhen me dije në lidhje me operacionin e një dite më parë në Tiranë, ku u sekuestruan 12 kg kanabis në formë xhelatine. Në pranga u vu Mariglen Vata dhe në kërkim u shpall Flavio Islamaj, të dy 22 vjeç.
Sipas burimeve, lënda narkotike dyshohet se ka ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar dhe është me përqindje të lartë THC. Vlera e saj në treg kap afro 30 mijë euro. Antidroga e Tiranës, pasi mori informacion për lëndën narkotike, organizoi operacionin për kapjen e tyre.
Flavio Islamaj, i cili është në kërkim, sapo ka kuptuar se po ndiqej nga blutë në afërsi të rrethit të Saukut ka tentuar që të largohet me shpejtësi. Pasi ka mbërritur në afërsi të Digës së Liqenit Artificial ka braktisur mjetin dhe është arratisur me vrap.
Ndërkohë, pasi kanë mbërritur efektivët e policisë kanë parë që i vëzhgonte një tjetër mjet ku kanë arrestuar Mariglen Vatën, i cili me makinë tjetër shoqëronte shokun e tij. Dyshohet se kanabisi në formë xhelatine kishte destinacion Elbasanin.
Brenda dy valixheve, lënda narkotike ishte ndarë në afro 500 pako me sasi të vogla kanabisi, ndërsa disa pako të tjera kishin sasi më të mëdha lëndë narkotike afro 400 deri në 500 gramë brenda.
I arrestuari Mariglen Vata dhe u shpalluri në kërkim Flavio Ismalaj, janë dy emra të njohur për policinë. Ata janë precedent të mëparshëm për drogë. Dy të rinjtë janë shokë me njëri tjetrin dhe përpara pak kohësh kanë qenë bashkë në Angli ku dyshohet se janë përfshirë në trafikun e drogës.
Pas kthimit të tyre në Shqipëri ata janë marrë sërish me trafik droge. Flavio Islamaj në vitin 2025 iu arratis policisë pasi kuptoi se blutë i kishin ngritur një kurth dhe prisnin ta arrestonin sapo të merrte një pako me drogë të porositur me postë. Edhe pse u shpall në kërkim.
Nuk dihet sesi Islamaj kishte mbyllur hesapet me drejtësinë, edhe pse policia e kishte shpallur një vit më parë në kërkim. Mariglen Vata ndërkohë është arrestuar në vitin 2022 po për drogë./ Balkanweb














