Dosja “Posta Durrës”, do të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka shpallur moskompetencën për vijimin e çështjes. SPAK regjistroi dje procedimin penal për vjedhjen e 700 mijë eurove në Postën e Durrësit dhe ka caktuar me short prokurorin e çështjes.
Sot, gjyqtari Xhevdet Lika ka marrë vendimin, pas kërkesës së prokurorit Gazmend Frëngu, i cili ka argumentuar se gjatë hetimeve kanë dalë elemente që e tejkalojnë kompetencën e tij. Pas vendimit, të gjitha aktet e dosjes do t'i kalojnë SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.
Ndërkohë, avokati mbrojtës i ish-drejtoreshës së Postës Durrës, Elisabeta Mataj, Ilia Ilia, ka pretenduar se klientja e tij është e pafajshme dhe se ajo ka qenë personi që ka denoncuar skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve të rindërtimit. Sipas avokatit, ndaj Matajt është organizuar një puç për të shmangur përgjegjësinë e ish-drejtuesve të tjerë që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në këtë skemë.
Ilia Ilia ka bërë me dije se në seancën e sotme mungoi prokurori i çështjes, Gazmend Frëngu, i cili kishte depozituar më herët dokumentacionin për shpalljen e moskompetencës. Avokati tha se mbrojtja kishte paraqitur një kërkesë në bazë të nenit 246, për marrjen e informacionit dymujor mbi ecurinë e hetimeve, me qëllim shqyrtimin e mundësisë për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj Matajt me një masë më të lehtë.
Sipas tij, zhvillimi i seancës pa praninë e prokurorit përbënte shkelje të ligjit, ndërsa gjykata u mjaftua me shkresën e depozituar prej tij dhe vendosi transferimin e akteve në GJKKO.
“Seanca nuk ishte e rregullt, sepse seanca gjyqësore nuk mund të zhvillohet pa prokurorin. Prokurori duhet të ishte prezent, por në vazhdimësinë e arrogancës që ai ka treguar për këtë çështje, nuk u paraqit dhe Gjykata u mjaftua me shkresën dhe mori vendim të ndërmjetëm për shpalljen e moskompetencës për kalimin e akteve në GJKKO. Ne kundërshtuam, sepse duhet të ishte vetë prokurori në seancë dhe të njoftonte”, tha mes të tjerash avokati Ilia Ilia.
Avokati ka ngritur gjithashtu pretendime për përvetësimin e fondeve të rindërtimit përmes Postës, duke iu referuar një dëmi prej 3.6 miliardë lekësh, që sipas tij është evidentuar nga auditimi i institucionit. Ai pretendon se Mataj u arrestua pasi nuk pranoi të bëhej pjesë e skemës së dyshuar, ndërsa ka ngritur akuza edhe për shkelje të detyrës nga prokurori lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj.
“Grupi që drejtonte vjedhjet me mbështetje politike. Arrestimi i Fetah Matajt është vepër penale dhe shpërdorim i pastër detyre. Të gjithë lekët e tërmetit kanë kaluar përmes postës shqiptare. Vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë”, shtoi avokati Ilia Ilia.
“Me vendimin e datës 20 nëntor 2026, gjykata shpalli moskompetencën lëndore për shqyrtimin e kërkesës penale me kërkuese shtetasen E.M. dhe vendosi dërgimin e akteve në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë. Sipas vendimit, palët nuk kanë të drejtë ankimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Durrësit.









Komente
Komento