Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin angazhimin e Shqipërisë për realizimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë e cilëson këtë projekt si strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor.
Sipas ambasadës, hidrocentrali i Skavicës pritet të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji për shqiptarët, ndërsa do të krijojë njëkohësisht një rrugë të qartë për investime të sigurta.
Në reagimin e saj, ambasada thekson gjithashtu se projekti do të sjellë mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj projektit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Skavica do të ofrojë furnizim të qëndrueshëm me energji për shqiptarët, një rrugë të qartë për investime të sigurta, si dhe mundësi për kompanitë dhe punonjësit amerikanë”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.


