
Manchester City ka humbur një mundësi të rëndësishme financimi, pasi gjiganti amerikan i investimeve Apollo Global Management ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja për një kredi prej afro 2 miliardë eurosh për City Football Group, kompaninë që zotëron klubin anglez.
Sipas raportimit të “Financial Times”, negociatat kishin arritur në fazën përfundimtare, por vendimi i komisionit të pavarur, i cili në shtator e shpalli Manchester Cityn përgjegjës për 114 shkelje të rregullave financiare të Premier League, ndryshoi gjithçka.
Klubi anglez akuzohet se ka fryrë artificialisht pozicionin e tij financiar me mbi 900 milionë euro gjatë periudhës 2009-2018. Sipas hetimit, një kompani investimesh e lidhur me pronarin e klubit, sheikun Mansour, dyshohet se ka paraqitur pagesat e sponsorizimeve si të ardhura komerciale.
Situata mbetet e hapur, ndërsa Manchester City rrezikon sanksione të rënda, përfshirë zbritjen e pikëve, përjashtimin nga Premier League apo edhe rënien nga kategoria.
Tërheqja e Apollo-s përbën një sinjal shqetësues për të ardhmen financiare të City Football Group. Kredia nuk ishte parashikuar vetëm për Manchester Cityn, por edhe për klubet e tjera të grupit, mes tyre edhe Palermo në Itali.
Apollo Global Management, që administron asete me vlerë mbi 1 trilion dollarë, ka investime të rëndësishme në sport.
Ndërkohë, te Manchester City pritet me interes vendimi përfundimtar mbi çështjen financiare, me sanksionet e mundshme që, sipas raportimit, mund të përcaktohen në fillim të vitit 2027.