Rreth 30 mijë euro do të ishte vlera e 12 kilogramë kanabis në trajtë xhelatine të sekuestruar nga policia e Tiranës të enjten.
Kjo lloj lënde narkotike është me përqindje të lartë THC, substanca kryesore psikoaktive te bima e marijuanës që shkakton efektin e njohur si dehje ose gjendje euforie pas përdorimit të kanabisit.
Droga dyshohet se ishte dërguar me postë nga Mbretëria e Bashkuar dhe kishte si destinacion Elbasanin.
Blutë i bënë shenjë ndalimi një automjeti. Në timon, Flavio Islamaj, 22 vjeç nga Paskuqani. Sapo kuptoi se po ndiqej nga policia në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, ai tentoi të largohet me shpejtësi. Braktis makinën në unazën e madhe pranë Digës së Liqenit Artificial dhe u largua me vrap, duke i shpëtuar efektivëve.
Me vete nuk mundi të marrë dy valixhe në bagazh brenda të cilave u gjet lënda narkotike.
Kanabisi në formë xhelatine ishte ndarë në rreth 500 pako të vogla. Disa pako të tjera përmbanin sasi më të mëdha, nga 400 deri në 500 gramë secila.
Gjatë aksionit në terren, efektivët konstatuan edhe një automjet tjetër, drejtuesi i të cilit dyshohet se po mbikëqyrte lëvizjet e shokut të tij. Në këtë makinë u arrestua Mariglen Vata, edhe ai 22 vjeç dhe po nga Paskuqani. Në banesë iu gjet dhe një sasi kokaine
Të dy rezultojnë emra të njohur për policinë, me precedentë të mëparshëm për narkotikë. Ata dyshohet se kanë qenë së bashku në Angli, ku mund të jenë përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa pas kthimit në Shqipëri dyshohet se kanë vijuar aktivitetin kriminal.
4 vite më parë, në gusht të vitit 2022, Mariglen Vata, në atë kohë 18 vjeç, ishte arrestuar si porositës i kanabisit me postë nga Britania e Madhe
Ndërkohë Flavio Islamaj ishte shpallur në kërkim edhe në vitin 2025, pasi dyshohet se i shpëtoi një operacioni policor për një sasi droge të dërguar me postë. Pavarësisht shpalljes në kërkim në atë kohë, mbetet e paqartë se si ai kishte arritur të mos përballej me drejtësinë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento