
Një episod sa i pazakontë, aq edhe komik ka ndodhur në Brazil, gjatë një ndeshjeje të futbollit amator mes Divineia dhe Arroio, e vlefshme për Campeonato Municipal de Futebol de Imbituba. Takimi përfundoi në barazimin 1-1, por vëmendjen më të madhe nuk e morën golat, por një incident që shkaktoi të qeshura në fushë dhe në tribuna.
Protagonisti ishte Eduardo “Dudu” Rosa, 38-vjeçari i Divineias, të cilit gjatë një goditjeje me kokë i fluturoi paruka që mbante në kokë. Në vend që të ndalonte lojën apo të largohej i turpëruar, futbollisti reagoi me sportivitet: e mori parukën nga toka dhe vazhdoi ndeshjen, madje duke e tundur drejt tifozëve.
Meqë nuk arriti ta vendoste sërish në kokë, Dudu u detyrua të vraponte në disa momente duke e mbajtur parukën në dorë. Vetë futbollisti shpjegoi për “L’Equipe” se gjithçka ndodhi në minutën e 85-të, kur rezultati ishte 1-1. Ai kishte përdorur gabimisht një ngjitës me bazë uji, i cili nuk i rezistoi djersës pas afro 80 minutash lojë.
Ironia e kësaj historie është se Dudu, përveçse futbollist, në jetën e përditshme punon si berber dhe është i specializuar pikërisht në aplikimin e protezave të flokëve.
