Seanca konstituive e Parlamentit të Serbisë u shoqërua të enjten me një përplasje të ashpër mes Jovo Bakićit, drejtuesit të grupit parlamentar të Listës Studentore, dhe ish-presidentit Aleksandar Vuçiç. Në qendër të debatit ishin figura e Milan Radoiçiçit dhe sulmi i armatosur në Banjskë të Kosovës.
Bakić theksoi se Radoiçiçit i ishte lejuar të qëndronte në galerinë e Parlamentit, ndërsa, sipas tij, studentëve u ishte ndaluar prania në atë hapësirë. Ai kundërshtoi deklaratat e mëparshme të Vuçiçit, që kishte thënë se Radoiçiç mbronte serbët në Kosovë, dhe e përshkroi ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në veri si një pushtim nga forcat shqiptare. Gjatë fjalës, Bakić rikujtoi edhe premtime të thëna më parë nga Vuçiç rreth Gazivodës dhe e sfidoi duke pyetur “Çfarë ndodhi me këtë premtim?”. Duke imituar ish-presidentin, Bakić tha: “Nuk e jap Gazivodën! Nuk e jap Gazivodën! Le të më vrasin, Gazivodën nuk e jap! Çfarë ndodhi me Gazivodën? Çfarë ndodhi?”.
Vuçiç, i cili tashmë është në opozitë, iu përgjigj Bakićit duke e quajtur gënjeshtar. Sa i përket pranisë së Radoiçiçit në Parlament, Vuçiç deklaroi se ai ishte ftuar si nënkryetar i Listës Serbe gjatë një seance të posaçme kushtuar Kosovës, duke shpjeguar arsyet e pranimit të tij në atë moment.
Përplasja ndodhi përpara votimit për drejtimin e Parlamentit. Pas tri ditësh diskutimesh, deputetët zgjodhën Aleksandar Čupićin e Listës Studentore në postin e kryetarit të Parlamentit, me 140 vota. Me marrjen e këtij posti, Čupić mori edhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së presidentit të Serbisë, pas dorëheqjes së Vuçiçit nga pozicioni i kreut të shtetit në shtator.
