
Deputetja e Partisë Demokratike dhe drejtuesja politike e Sarandës, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime për kushtet në kopshtet publike të qytetit, duke publikuar denoncime për krevate të mykur dhe ambiente që, sipas saj, nuk garantojnë standardet e nevojshme të higjienës për fëmijët.
Në reagimin e saj, Zhupa riktheu në vëmendje edhe denoncimin e bërë në shtator për mbipopullimin në kopshte, ku, sipas saj, numri i fëmijëve kishte arritur deri në 70 në një grup. Ajo tha se kjo situatë ishte krijuar pas vonesave në përfundimin e punimeve në çerdhe dhe në kopshtin “Soros”, që sollën zhvendosjen e fëmijëve në institucione të tjera.
Zhupa bëri gjithashtu një krahasim mes kushteve të raportuara në kopshte dhe fondeve të parashikuara nga Bashkia Sarandë për rikonstruksione. Sipas saj, për rikonstruksionin e kopshteve nr. 2 dhe 3, në vitin 2026, fondi limit ishte 51 milionë lekë, ndërsa oferta fituese rreth 49.5 milionë lekë. Për punimet në Metoq, Shelegar dhe Bërdenesh, fondi limit ishte 26.1 milionë lekë.
Deputetja ngriti pikëpyetje për mënyrën se si janë përdorur fondet dhe për kontrollin e cilësisë së punimeve e të materialeve. Ajo kërkoi transparencë për shpenzimet, verifikim të menjëhershëm të kushteve në institucionet parashkollore dhe përgjegjësi në rastet e neglizhencës apo abuzimit.
Në reagimin e saj, Zhupa theksoi se fëmijët duhet të kenë ambiente të pastra dhe të sigurta, si dhe kushte të përshtatshme për zhvillimin dhe edukimin e tyre.