Dy administratorë të moshës 39 vjeç të një lokali në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë janë vënë nën hetim pas ankesave të banorëve për muzikën me zë të lartë dhe prishjen e qetësisë publike.
Pas shqetësimeve të qytetarëve, policia ka kryer kontrolle në subjekt, ku ka konstatuar shkeljet.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar dhe bokset, impianti muzikor dhe aksesorët e përdorur për gjenerimin e muzikës.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Kontrolle në një lokal në “Komunën e Parisit”, menjëherë pas shqetësimeve të qytetarëve, për prishje të qetësisë publike.
Procedohen penalisht 2 administratorët e subjektit dhe sekuestrohen pajisje për gjenerim të muzikës.
Pas ankesave të disa qytetarëve, banorë në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, se në një lokal luhej vazhdimisht muzikë me zë të lartë që prishte qetësinë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shkuan në subjektin e sinjalizuar, ku konstatuan paligjshmërinë, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, për administratorët e subjektit, shtetasit K. H., 39 vjeç dhe J. B., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjithashtu, sekuestruan bokse dhe impiant muzikor, bashkë me aksesorë të tyre, nëpërmjet të cilëve gjenerohej muzika.
Kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës falënderon qytetarët për bashkëpunimin, i fton që të vijojnë të adresojnë në polici, çdo paligjshmëri dhe shqetësim, si dhe i garanton se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të plotë të ligjit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento