Policia shqiptare dhe ajo britanike synojnë të shtojnë ekipet e përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe të zgjerojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit kibernetik dhe pastrimit të parave.
Këto ishin disa nga çështjet e diskutuara gjatë takimit që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me koordinatorin e Policive Britanike për Ballkanin Perëndimor, Nick Bellingham, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Në takim morën pjesë edhe drejtuesit e departamenteve të Policisë Kriminale dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe drejtori i Institutit të Policisë Shkencore.
Hita falënderoi palën britanike për mbështetjen dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, duke veçuar rezultatet e Task-Forcës së përbashkët kundër migracionit të paligjshëm.
Sipas tij, kjo strukturë ka ndihmuar në uljen drastike të rasteve të migracionit të paligjshëm dhe në goditjen e grupeve të krimit të organizuar. Drejtori i Policisë së Shtetit vlerësoi gjithashtu ekspertizën dhe asistencën britanike në fushën e Policisë Shkencore, të cilat, sipas tij, kanë ndihmuar në forcimin e kapaciteteve hetimore.
Nga ana tjetër, Bellingham e cilësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si një model të suksesshëm ndërkombëtar dhe shprehu gatishmërinë për ta zgjeruar më tej. Një nga objektivat e diskutuar ishte specializimi i strukturave të Policisë së Shtetit në hetimin e krimit kibernetik dhe pastrimit të parave, përmes trajnimeve dhe ekspertizës britanike.
Palët diskutuan edhe për asistencën teknike dhe profesionale që do të ofrohet për përfundimin e procesit të akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore.









Komente
Komento