Nga Kadareja te festat e Nëntorit, Shqipëria dhe Kosova me kalendar të përbashkët kulturor

20 Nëntor 2026 | 13:39

Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë një program të përbashkët kulturor deri më 6 dhjetor, me koncerte, ekspozita, shfaqje teatrore dhe filma që vendosin në qendër trashëgiminë historike, krijimtarinë artistike dhe lidhjet mes dy vendeve.

Programi i Javës Kombëtare 2026, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, është prezantuar nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.

Aktivitetet shtrihen në Tiranë, Prishtinë, Vlorë, Berat, Korçë, Krujë, Lezhë dhe Tropojë, ndërsa disa veprimtari përfshijnë edhe Pogradecin e Manastirin.

Në qendër të kalendarit janë festat e 28 dhe 29 Nëntorit, por programi përfshin edhe përkujtimin e figurave historike, promovimin e letërsisë dhe prezantimin e krijimtarisë bashkëkohore.

Më 21 nëntor, Galeria e Artit në Tiranë pret ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të dytë të Bienales Ndërkombëtare të Grafikës, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Një tjetër aktivitet është ekspozita “Kosova e Kadaresë”, e cila hapet më 24 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe qëndron e hapur deri më 6 dhjetor.

Ajo përfshin dorëshkrime, artikuj dhe letra nga arkivi personal i Ismail Kadaresë, kushtuar Kosovës gjatë afro gjashtë dekadave.

Po më 24 nëntor, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” organizon ekspozitën përkujtimore “Firmëtarët e Pavarësisë mes lavdisë dhe përndjekjes”, kushtuar delegatëve të vitit 1912 që u përndoqën më vonë nga regjimi komunist.

Festimet muzikore përfshijnë koncertin “Tradita që na bashkon”, më 27 nëntor në Sheshin Skënderbej, si dhe programin “Për ty, Atdhe”, që do të interpretohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve më 28 nëntor në Tiranë dhe më 29 nëntor në Vlorë.

Në program janë përfshirë edhe artistë nga Kosova. Më 30 nëntor, Kuarteti Harkor i Filharmonisë së Kosovës do të interpretojë në Tiranë koncertin “Quartet in Colors”, ndërsa më 3 dhe 4 dhjetor zhvillohet festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”.

Kinemaja zë gjithashtu një vend të rëndësishëm, me shfaqjen e filmave “Kur pranvera vonohet”, “Rojet e mjegullës” dhe “Kukumi”, si dhe dokumentarit “Shtëpia e Kombit”, që trajton mikpritjen e familjeve kosovare gjatë luftës së vitit 1999.

Programi përfshin edhe ekspozita etnografike, aktivitete për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe nisma për promovimin e traditave shqiptare.

Sipas Gonxhes, Java Kombëtare synon të krijojë një hapësirë shkëmbimi kulturor ku artistët dhe institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës ndajnë përvoja dhe praktika artistike, duke forcuar bashkëpunimin përmes artit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Historia pas pikturës së Van Gogh që u shit për 190 mln dollarë

Një nga veprat më të rëndësishme të Vincent van Gogh u shit për 190.4 milionë dollarë (144.9 milionë paund) në një ankand të Sotheby’s në...
13:25 | 20/11/2026

Nga rrugët e Lagosit në pasarelën e Chanel, si stili i Rachel Ojuromi e çoi atë në Paris

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Ojuromi ka pushtuar rrjetet sociale, duke i transformuar rrugët plot jetë të Lagosit në pasarelën e saj personale, duke shfaqur...
02:30 | 19/11/2026

11 nominime për çmimet Grammy 2027, Raye në ‘librin e rekordeve’! Rosalia e ndjek nga pas me 9 nominime

Sensacioni britanik i xhazit dhe soulit, RAYE, është futur në librin e rekordeve me 11 nominime për çmimet Grammy 2027. Këngëtarja dhe kompozitorja është pretendente...
18:53 | 16/11/2026