Rafineria e Fierit me 5.7 milionë euro fitim, por pa investime për filtrat: Ujërat e ndotura derdheshin në Gjanicë
Kompania që administron Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier ka deklaruar miliona euro fitime, ndërsa akuzohet se ka shmangur shpenzimet për trajtimin e mbetjeve hidrokarbure, duke ndotur lumin Gjanica.
Sipas të dhënave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “Al Global Oil”, e cila administron rafinerinë në zonën e Drizës, ka regjistruar gjatë vitit 2025 një fitim prej 5.68 milionë eurosh. Pas pagesës së tatimit mbi fitimin, shuma neto ka arritur në rreth 4.57 milionë euro, e cila është vendosur të shpërndahet si dividend.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë zbuluar se ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure nuk i nënshtroheshin procesit të detyrueshëm të pastrimit, por shkarkoheshin në një përrua që derdhet në lumin Gjanica.
Sipas organit të akuzës, ujërat e ndotura, të krijuara gjatë aktivitetit të uzinës dhe të mbetura në depozitat e saj edhe pas ndërprerjes së punës, përfundonin në lumë përmes një kanali shkarkimi. Analizat laboratorike kanë evidentuar një përqendrim të produkteve të naftës prej 13.8 miligramësh për litër, ndërsa kufiri i lejuar nga Leja Mjedisore është 10 miligramë për litër. Për pasojë, ujërat janë klasifikuar në Klasën V, që përfaqëson gjendje të keqe.
Prokuroria vlerëson se kompania ka shmangur kostot e trajtimit dhe transportit të mbetjeve të rrezikshme, ndërsa drejtuesi teknik, megjithëse kishte dijeni për pikën e shkarkimit dhe mundësinë për ta mbyllur apo pajisur me sistem trajtimi, nuk ka ndërmarrë masa.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim kompaninë “Al Global Oil” dhe drejtuesin teknik Robert Shehaj, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.
Rasti rikthen në vëmendje problematikën e ndotjes së lumit Gjanica, i cili prej vitesh përballet me shkarkime të mbetjeve hidrokarbure nga aktivitetet industriale në zonën e Fierit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



