Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka konfirmuar projektin që synon të ndryshojë mënyrën e prokurimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore për spitalet publike.
Bëhet fjalë për një nismë që ishte prezantuar më herët, por që nuk u firmos nga ish-ministrja Evis Sala para largimit të saj nga qeveria.
Drafti i ri parashikon që shoqëria shtetërore përgjegjëse për këtë proces të ketë mundësi të bashkëpunojë edhe me kompani private, duke ndryshuar kështu modelin aktual të furnizimit të spitaleve publike.
Në një intervistë për Report TV, Spahiu ka deklaruar se përmes shoqërisë së re shteti do të garantojë blerjen e barnave drejtpërdrejt nga kompanitë prodhuese, me synimin për të shmangur mungesat.
“E vetmja zgjidhje do të jetë vetëm atëherë kur garancinë për ta furnizuar sektorin publik e merr shteti. Çfarë dua të them me këtë? Nëpërmjet kësaj sh.a.-je do të jetë shteti garant i lidhjes dhe blerjes së këtij medikamenti direkt tek kompania mëmë dhe nuk do të ketë më mungesa në tregun e shëndetësisë shqiptare në lidhje me furnizimin me medikamente dhe me produkte mjekësore“, deklaroi Spahiu.
Sipas projektligjit, shoqëria do të krijohet fillimisht me 100% kapital shtetëror dhe do të ketë kompetenca për planifikimin, prokurimin, importin, magazinimin, transportin dhe shpërndarjen e barnave dhe pajisjeve mjekësore për institucionet publike.
Megjithatë, kompetencat e saj shkojnë përtej blerjeve të centralizuara. Drafti i jep të drejtën të krijojë kompani të përbashkëta me subjekte private, të marrë pjesë në kapitalin e tyre dhe të zhvillojë partneritete publiko-private.
Kjo ngre pikëpyetje për ndikimin që shoqëria e re mund të ketë në tregun farmaceutik, konkurrencën dhe shpërndarjen e kontratave publike. Modeli ka ngjashmëri me kompaninë shtetërore KAYO, që është kritikuar nga opozita, ku parashikohet bashkëpunimi mes kapitalit publik dhe atij privat.
Ndërsa qeveria e paraqet nismën si një mënyrë për të garantuar furnizimin e spitaleve, mbeten për t’u sqaruar mekanizmat e kontrollit, transparenca e prokurimeve dhe mënyra e përcaktimit të çmimeve.
Përqendrimi i kompetencave në një strukturë të vetme e bën veçanërisht të rëndësishëm monitorimin e mënyrës se si do të përdoren fondet publike dhe çfarë roli do të kenë kompanitë private në këtë sektor.












