Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona për vjedhje dhe lëndë narkotike. Në operacionin e parë, të koduar “Reagimi”, është kapur një 34-vjeçar, i dyshuar për kërcënimin me mjet prerës dhe grabitjen e një taksisti në lagjen nr. 14 të qytetit të Durrësit.
Ndërsa në operacionin e dytë, të zhvilluar në Portin e Durrësit, janë arrestuar dy të rinj, të cilët dyshohet se po transportonin fara kanabisi dhe lëndë narkotike.
Sipas njoftimit të Policisë, 34-vjeçari me inicialet Xh. S. dyshohet se mëngjesin e sotëm ka kërcënuar me mjet prerës një taksist 30-vjeçar, me inicialet A. Q., duke i marrë celularin, një shumë parash dhe çelësin e automjetit.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë reaguar menjëherë dhe kanë ushtruar kontrolle në territor, duke bërë të mundur kapjen e të dyshuarit në një kohë të shkurtër.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Yelloë Line”, shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës dhe autoritetet doganore, kanë arrestuar në flagrancë dy shtetasit D. Z., 27 vjeç, dhe E. K., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të një furgoni, me drejtues shtetasin D. Z. dhe pasagjer E. K., efektivët kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara narkotike kanabis, një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, si dhe një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lëndët e dyshuara narkotike, paratë, furgoni dhe dy telefona celularë
