“El Turco do të hapë një derë të re për serialet turke”, Gorica sjell detajet nga premierat e reja dhe programacioni i RTSH-së

Televizion | 1 minutë më parë

Një serial i ri me protagonist aktorin e njohur turk Can Yaman do të nisë transmetimin këtë të diel në RTSH 1 HD. Bëhet fjalë për “El Turco”, një prodhim ndërkombëtar i bazuar në një histori të vërtetë, që sjell aktorin në një rol krejt ndryshe nga personazhet romantike me të cilët është identifikuar deri më tani.

Klajd Gorica, drejtues në Njësinë e Programeve në RTSH, zbuloi detaje nga serialet e reja dhe programacioni i kësaj jave, duke theksuar veçantinë e prodhimit “El Turco”.

Seriali është xhiruar në Hungari, ndërsa produksioni është realizuar tërësisht në gjuhën angleze dhe përfshin aktorë nga vende të ndryshme. Personazhi Gloria interpretohet nga një aktore italiane.

“El Turco ka një veçanti. E para është një nga aktorët më të pëlqyer dhe ndër të tjera sjell një legjendë historike. Bazohet në një histori të vërtetë. Është një nga deklamacionet e kinematografisë turke që e ka hedhur grepin shumë larg”, u shpreh Gorica.

“El Turco” nis këtë të diel, në orën 20:35, në RTSH 1 HD, me dy episodet e para. Episodet e serialeve premierë të fundjavës do të mund të rishihen edhe të martën dhe të mërkurën, pas orës 22:00.

Në programacionin e kësaj jave rikthehet edhe “Maxima”, me dy episode të reja të shtunën, ndërsa seriali “Huniadi” do të transmetohet në RTSH Film nga 23 nëntori. Publiku do të ketë gjithashtu mundësi të ndjekë “Mbretëreshën e lotëve”.

Gorica njoftoi edhe ndryshime në programacionin e javës së ardhshme, për shkak të ndeshjes së Egnatias në Conference League, ndërsa episodet e së enjtes do të zhvendosen.

Sa i përket sportit, këtë fundjavë RTSH do të transmetojë dy përballje të Abissnet Superiore: Partizani-Vllaznia të shtunën dhe Vorë-Tirana të dielën në mesditë.

Ndërkohë, çdo të diel, në orën 19:00, publiku mund të ndjekë edhe “Ikonat”, ciklin e ri të prodhuar nga Radio Televizioni Shqiptar.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme