Prokuroria e Tiranës ka nisur thirrjen e qytetarëve që mbetën të plagosur gjatë protestave, për të marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e lëndimit dhe përdorimin e plumbave të gomës nga policia.
Në listën e personave që do të pyeten janë katër qytetarë, tre prej të cilëve kanë pësuar dëmtime në bark, ndërsa njëri në sy. I pari që do të paraqitet para organit të akuzës është Erion Vishkulli, i cili u plagos në sy dhe, pas trajtimit e ndërhyrjeve mjekësore në Itali, është rikthyer në Shqipëri. Ai është ftuar të dëshmojë më 25 nëntor, në orën 11:00.
Ndërkohë, në pritje të letërporosisë nga autoritetet italiane, e cila pritet të sqarojë nëse 28-vjeçari është plagosur nga plumbat e gomës, prokuroria po vijon hetimet përmes veprimeve të tjera. Mes tyre është kërkesa për identifikimin e efektivëve që kishin autorizim për përdorimin e armëve me plumba gome, pozicionet ku ata ishin vendosur dhe planin e masave të ndërmarra gjatë protestave.
Sa i përket procedimeve për protestuesit, numri i personave të arrestuar ka kaluar 300, ndërsa në pjesën më të madhe të rasteve gjykata ka caktuar masën e detyrimit për t’u paraqitur. Prokuroria ka bashkuar gjithashtu 20 kallëzime të qytetarëve, të cilët pretendojnë se janë dhunuar dhe janë përballur me veprime arbitrare.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Ervin Demo ka deklaruar më herët se gjatë protestave të dhunshme janë plagosur 200 punonjës policie dhe 107 protestues. Ai ka akuzuar organizatorët për përdorimin e të miturve në përplasjet me policinë dhe institucionet, duke bërë të ditur se 269 të shoqëruar ishin nën moshën 18 vjeç.
