Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka nisur një proces inspektimi në digat dhe ujëmbledhësit e qarkut, me qëllim verifikimin e gjendjes së tyre teknike dhe garantimin e sigurisë së këtyre veprave hidrike.
Gjatë kontrolleve në terren synohet evidentimi i problematikave të mundshme, vlerësimi i kushteve aktuale dhe identifikimi i nevojave për ndërhyrje apo monitorim të mëtejshëm.
Në këtë proces janë angazhuar përfaqësues nga Prefektura e Tiranës, UKT, KKDM, ITD dhe DPRRNP, të cilët kanë kryer verifikimet përkatëse dhe kanë dokumentuar konstatimet në procesverbalet zyrtare.
Sipas prefektit Hajdari, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse janë të domosdoshme për të garantuar monitorimin e vazhdueshëm dhe sigurinë e infrastrukturës hidrike në qarkun e Tiranës.
Krahas inspektimeve, Hajdari bëri të ditur se janë parashikuar edhe projekte të reja që synojnë përmirësimin e menaxhimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët e kryeqytetit.


