Anëtarë të Kongresit Amerikan i kanë bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë të hetojë imazhet e papublikuara më parë nga autopsia e Jeffrey Epstein. Kërkesa vjen pas një analize të re mjeko-ligjore të prezantuar në 16 nëntor, rezultatet e së cilës kundërshtojnë gjetjet zyrtare se ai u vetëvra në 2019.
Eksperti i mjekësisë ligjore, Dr. Michael Freeman, njëkohësisht kryeredaktor i revistës ‘Journal of Forensic and Legal Medicine’, prezantoi gjetjet e tij në Londër ku deklaroi se dëmtimet e dokumentuara në autopsi përputhen më shumë me mbytjen me duar ose litar sesa me vetëvarjen.
Sipas raportimeve nga media si BBC dhe CBS, Freeman analizoi dosjet mjekësore të siguruara nga vëllai i tij, Mark Epstein.
Ai evidentoi shenja në qafë dhe gërvishtje të mundshme thonjsh mbi shenjën e litarit, gjakderdhje të thellë në shpatullën e majtë dhe dëmtime në fytyrë që sugjerojnë një përleshje fizike.
Eksperti dhe ligjvënësit kanë ngritur shqetësime për faktin se trupi i Epstein u lëviz nga qelia para se të fotografohej pozicioni fillestar. Po ashtu, rripi i pëlhurës i përdorur nuk u ruajt për analiza dhe kamerat e sigurisë jashtë qelisë nuk funksiononin ditën e vdekjes.
Pas publikimit të këtyre pamjeve grafike në media amerikane, disa ligjvënës në Uashington po kërkojnë që Departamenti i Drejtësisë t’i rishikojë këto prova në kuadër të transparencës mbi dosjet e çështjes Epstein.
Robert Garcia, anëtar demokrat në dhomën e përfaqësuesve në kongres ka kërkuar gjithashtu në 18 nëntor përgjegjësi për mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë ka trajtuar dosjet Epstein, zbatimi i plotë i ligjit për transparencën dhe ruajtja e të gjitha dokumenteve e komunikimeve.
Zyra e Kryemjekut Ligjor të Nju Jorkut rikonfirmoi se qëndron pas vendimit të saj të vitit 2019, i cili e cilësoi vdekjen e Epstein si vetëvrasje pasi ai kishte varur veten. Deri më tani, autoritetet federale amerikane nuk kanë njoftuar hapjen e një hetimi të ri penal për shkakun e vdekjes.
Publikimi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë i miliona dokumenteve, fotografive dhe videove nga dosja Jeffrey Epstein riktheu vëmendjen tek rrjeti i tij i lidhjeve me figura të fuqishme ndërkombëtare, por mbi të gjitha mbi abuzimet e kryera mbi viktimat.







Komente
Komento