Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka refuzuar kërkesën për lirim nga qelia të një ukrainasi, të arrestuar në Shqipëri për qëllime ekstradimi.
53-vjeçari Yuri Prukhnitskyi u prangos mbrëmjen e 8 tetorit në Rinas, teksa kishte udhëtuar drejt Shqipërisë për turizëm. Ai rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, pasi në vitin 2023, në kulmin e ofensivës ruse në Ukrainë, një gjykatë në Lviv kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Teksa jetonte prej disa vitesh në Dublin të Irlandës, në vendlindje ukrainasi akuzohej për mbajtjen me qëllim rishitjen e një droge sintetike të quajtur “Subtex”, që përmban buprenorfinë dhe amfetaminë.
Në Apel, 53-vjeçari kundërshtoi masën e “arrestit në burg”. Ai kërkoi lirimin kundrejt garancisë pasurore, masës së “ndalimit të daljes jashtë shtetit” ose “detyrimit për paraqitje”.
Përmes avokatit të tij, Erion Kullolli, ukrainasi i tha gjykatës se kërkimi i shpallur nga autoritetet ukrainase lidhej me synimin për ta angazhuar atë në frontin e luftës dhe jo me ndjekjen penale.
Për këtë, ai shtoi se kishte humbur në luftë dy familjarë dhe se një tjetër ishte detyruar të shkonte në front.
Apeli refuzoi kërkesën për zbutjen e masës. Lidhur me pretendimet për mundësinë e angazhimit të ukrainasit në shërbimin ushtarak, Kolegji Penal arsyetoi se kjo çështje lidhet me verifikimin e kushteve dhe të pengesave të mundshme për lejimin e ekstradimit.










