Sulmet ruse në Ukrainë vrasin 8 persona, dëmtojnë edhe urat në Kiev
Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit dhe rajoneve të tjera të Ukrainës, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.
“Raketat goditën infrastrukturën jetike në kryeqytet, përfshirë urat. U dëmtuan një objekt i sistemit të kullimit të ujërave, ndërtesa dhe objekte afariste. Gjashtë persona humbën jetën nga sulmi në Kiev. 15 të tjerë u plagosën”, tha kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy.
Ai shtoi se gjithsej tetë persona u vranë nga sulmet në Ukrainë dhe 28 të tjerë u plagosën. Dy persona u vranë nga sulmet ruse në rajonin perëndimor të Lvivit, njoftoi administratori i këtij rajoni.
Koretskiy tha se në Harkiv, në lindje të vendit, ishte goditur një spital i urgjencës, ku katër persona u plagosën dhe u dëmtua një objekt ku kryhen rezonanca magnetike (MRI).
“U dëmtuan ndërmarrje në rajonet e Kievit, Mikolaivit, Odesës dhe Çernihivit, si dhe ndërtesa banimi në rajonet e Dnipropetrovskut, Lvivit, Vinitsës, Sumit dhe Çernihivit. U goditën edhe objekte energjetike”, tha ai.
Punimet për urën në Krime përfunduan më 2018. Ajo mundëson qarkullimin mes territorit rus dhe Krimesë, gadishullit ukrainas në Detin e Zi që Moska pretendon se e ka aneksuar.
Më herët, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se shtatë nga personat e plagosur në kryeqytet ishin dërguar në spital. Të plagosurve të tjerë po u jepej ndihma mjekësore në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e sulmit balistik ndaj kryeqytetit, është dëmtuar ura e Podilit. Qarkullimi nga bregu i djathtë në atë të majtë të lumit është aktualisht i bllokuar. Është dëmtuar edhe ura e Darnitskit”, shkroi Klitschko në Telegram.
Ai tha gjithashtu se ura Jugore, e cila ishte shënjestruar edhe më parë nga sulmet ruse, u godit sërish, por nuk specifikoi nëse kishte pësuar dëme.
“Si pasojë e goditjeve është dëmtuar edhe një objekt i infrastrukturës jetike”, shtoi ai më vonë, pa dhënë hollësi të tjera.
Pas sulmit, disa pjesë të Kievit mbetën pa energji elektrike. Kompania energjetike DTEK njoftoi se në gjithë kryeqytetin po zbatoheshin ndërprerje emergjente të rrymës.
“Sulmi masiv ndaj kryeqytetit po vazhdon. Banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë në strehimore deri në njoftimin për përfundimin e rrezikut”, tha Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit në mëngjesin e 20 nëntorit.
Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për praninë e dronëve rusë mbi disa rajone të vendit dhe raportuan lëshimin e raketave, përfshirë në drejtim të Ukrainës perëndimore.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kishte kryer sulmet, duke pretenduar se kishte shënjestruar objekte të industrisë ushtarake ukrainase, kapacitete për prodhimin e raketave dhe dronëve, depo të tyre, si dhe infrastrukturën energjetike dhe të transportit në Kiev dhe në gjashtë rajone të tjera. Ministria nuk paraqiti menjëherë prova për të mbështetur pretendimet e saj.
Rusia e ka mohuar vazhdimisht se shënjestron qëllimisht civilët ose infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.
Bërtiti nga dhimbjet gjatë ekzekutimit, 70-vjeçari në Teksas humb jetën 63 minuta pas injeksionit vdekjeprurës
UNICEF: Të paktën 1,144 fëmijë të vrarë ose të plagosur në 10 muaj në Ukrainë
Kryebashkiaku i Nju Jorkut planifikon për të mbyllur burgun famëkeq të Rikers Island deri në vitin 2032
- 16:42 Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj reagon pas akuzave të Spiropalit
- 16:28 Drejtoria e Burgjeve jep detaje për konsultat mjekësore të Veliajt: Më 23 nëntor është planifikuar ndërhyrja kirurgjikale
- 16:27 Bërtiti nga dhimbjet gjatë ekzekutimit, 70-vjeçari në Teksas humb jetën 63 minuta pas injeksionit vdekjeprurës
- 16:22 UNICEF: Të paktën 1,144 fëmijë të vrarë ose të plagosur në 10 muaj në Ukrainë
- 16:09 Kryebashkiaku i Nju Jorkut planifikon për të mbyllur burgun famëkeq të Rikers Island deri në vitin 2032
- 15:58 Eisenkot përpiqet të formojë qeverinë izraelite edhe pa shumicën parlamentare, teksa Netanyahu kërkon qeveri uniteti