Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj u është përgjigjur akuzave të deputetes socialiste, Elisa Spiropalit mbi kërcënimet që sipas saj Tatimet i kanë bërë biznesve të familjes së saj.
Në një reagim public zyrtar, Binaj thekson se Administrata Tatimore është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja Elisa Spiropali dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.
Ndër të tjera, Binaj shton se gjatë kontrolleve të ushtruara në bizneset familjare të deputetes socialiste, janë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha.
‘Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme’, thuhet në reagimin e drejtorit të Përgjitshëm të Tatimeve.
Reagimi:
Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj
Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar.
Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.
Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.
Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.
Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.
Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.
Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.
I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.
Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.
Dr. Ilir Binaj, CPA, CGMA
Drejtor i Përgjithshëm
© SYRI.net