Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka dhënë dritën jeshile për disa ndryshime në paketën fiskale të vitit 2027, duke zgjeruar listën e mallrave që do të trajtohen me TVSH të reduktuar. Në këtë listë tashmë përfshihen uji, produktet higjienike menstruale dhe artikujt e higjienës për fëmijët.
Diskutimet në komision u shoqëruan me debate të ashpra mes deputetëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, sidomos lidhur me përfshirjen e ujit në këtë kategori. Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që uji i ambalazhuar të përfitojë nga TVSH-ja e reduktuar, ndërsa ngriti shqetësimin se produktet higjienike për gratë dhe fëmijët nuk po merrnin lehtësitë e nevojshme fiskale.
Të lidhura
None found
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, sqaroi se Këshilli i Ministrave nuk ishte dakord me propozimin e deputetit Kadeli, duke argumentuar se çdo ndryshim duhet të jetë në përputhje me direktivat e BE-së.
Pas miratimit në komision, ndryshimet do të kalojnë për votim përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit.
Debati u fokusua kryesisht te propozimi i Braçes, i cili argumentoi se uji i ambalazhuar është produkt bazë dhe domosdoshmëri për konsumatorët. Ai kërkoi gjithashtu që produktet menstruale dhe pelenat për fëmijë të shtohen në listën e mallrave me TVSH të reduktuar.
Yzeiraj u shpreh kundër propozimit për ujin, ndërsa deputetët diskutuan kriteret e përcaktimit të produkteve që do të gëzojnë lehtësimin fiskal.
Në deklaratën e tij, zëvendësministri Yzeiraj theksoi: “Qëndrimi i Këshillit të Ministrave nuk është dakord me propozimin e z. Kadeli. Legjislacioni aktual nuk është në drejtim me direktivën. Në lidhje me produktet e shportës, kemi sjellë një listë me 54 produkte. Në lidhje me ujin, duhet parë synimi politik i qeverisë. Ne po përpiqemi që, me investimet në rrjet, ta përfshijmë atje. Sovrani jeni ju, ju e vendosni në fund.”
Erion Braçe u përgjigj me ton kritik: “Mbushni një gotë ujë në rubinet dhe ta sillni për mua. Ju me plot të drejtë thoni se nuk është në përputhje me direktivën TVSH-ja për projektimin në sport. Çfarë thotë direktiva për ndërtimin? Çdo familje pi këtë ujë, jo atë tjetrin. Ndërtimin e këtyre veprave e kemi çliruar nga TVSH-ja dhe kjo të trajtohet njësoj. Për respekt, pas asaj që the, mos e pi. Jemi në këtë vend për të nxitur investimet private në sport, normalisht bën sens propozimi që bën Kadeli. Nëse ne kemi ndërmarrë një nismë për të ulur koston e jetesës sa u takon ushqimeve, ne nuk po propozojmë birrën, rakinë, por ujin që është i domosdoshëm. Është e detyrueshme për një individ 2 litra në ditë. Dhe duke ndjekur këtë logjikë thamë që uji i fabrikuar të trajtohet me 6%. Me këtë ujin e çezmës as gatuan njeri, as e pi, përveç atyre të varfërve që s’kanë asgjë. E fundit, me aditivët ushqimorë. Në rast se kam dëgjuar si aditiv vaj palme, qumështi pluhur, kjo listë e humb funksionin. Po kërkoj shprehimisht t’ju bëni me dije edhe listën e produkteve që keni miratuar me VKM. Çfarë kuptimi ka që ne të trajtojmë ushqimet për fëmijët e porsalindur dhe s’bëjmë gjënë më elementare, pelenat? Kam 4 vite që kërkoj paketën higjienosanitare për vajzat. Për 28 milionë lekë për 4 vjet që thoni jo, ndërkohë që jeni vetë vajza e gra që janë studente, shkojnë në shkollë dhe, përveç shpenzimeve të tjera, kanë edhe këto.”
Edmond Haxhinasto, deputet i Partisë së Lirisë, pyeti: “Mbi çfarë kriteresh do të bëhet lista? Sa mundësi kemi ne që të vendosim kritere? A e kemi mundësinë ne që të ndryshojmë?”
Kryetarja e Komisionit, Milva Ekonomi, u përgjigj: “Në ligj ia kemi lënë Këshillit të Ministrave.”
Deputetja socialiste Briseida Cakërri theksoi: “Uji është një shpenzim i vogël, por ndihet në të ardhurat e pakta. Produktet për gratë, jeni konciz, z. Braçe.”
Eno Bozdo, deputet i PD, shtoi: “Për çështjen e ujit, ky ujë kushton shumë për disa. E vërteta është që të flasësh për ushqimet dhe jo për ujin nuk ka sens.”
Milva Ekonomi vijoi: “Edhe Kombet e Bashkuara dhe BE-ja bëjnë një diferencim për ujin. Pamë edhe TVSH-në e ujit për vendet e Ballkanit Perëndimor, është e ndryshme në vende të ndryshme: Maqedonia e Veriut 5%, Kosova 8%, Serbia 10% etj. U konsultuam me shumë dokumente. Propozimi i z. Kadeli, një pjesë ne e kemi të miratuar. Shpenzimet për projektim me subjektet me karakter sportiv zënë 5-15%. Për efektin e ujit shohim që është shumë i ulët.”
Me miratimin e ndryshimeve në komision, projektligji vijon procedurën parlamentare dhe pritet të shqyrtohet në seancë plenare për votimin përfundimtar.
Në një pjesë tjetër të diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, u trajtua akti normativ për bizneset e dëmtuara nga protestat. Një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë shpjegoi se biznesin e vogël me 14 milionë lekë e mbulon akti, dhe se sigurimi paguan i pari, ndërsa shteti paguan pjesën e mbetur dhe kërkon shumën nga përgjegjësi. Deri më 16 nëntor, vlera që 125 biznese pretendojnë është 3.59 milionë euro.
Milva Ekonomi propozoi kalimin e aktit normativ, duke e cilësuar si emergjente për t’u ardhur në ndihmë bizneseve.
Erion Braçe ngriti pyetje mbi dëmin e shkaktuar në institucionet publike dhe se kush do ta paguajë atë, duke përmendur ndërmarrjen e rrugëve, ndriçimin, mirëmbajtjen, rrjetin rrugor dhe grumbullimin e mbetjeve. Ai kërkoi të dihet nëse këto biznese do të klasifikohen për dëmshpërblim dhe theksoi se dhuna nuk është protestë dhe duhet të dënohet si e tillë.
Igli Cara, deputet i opozitës, kritikoi standardet e dyfishta, duke thënë se kompensimi i pronave të dëmtuara është i ligjshëm, por pyeti pse nuk sillet akt normativ për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet apo për dëmtimet shëndetësore të protestuesve. Ai theksoi se qeveria e Ramës kërkon para nga kundërshtarët dhe se nuk duhet të trembë protestuesit.
Braçe iu përgjigj se ka paguar qeveria dhe se nuk duhet ndërhyrë në fjalën e tij, ndërsa Cara vijoi duke përmendur dëmet e provuara nga KLSH-ja dhe rënien e popullsisë.
Milva Ekonomi ndërhyri se edhe policët kanë pësuar dëme shëndetësore, ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë sqaroi se është bërë një vlerësim paraprak dhe buxheti do të alokohet me VKM nga fondi rezervë. Ai tha se akti normativ është specifik për bizneset e vogla, ndërsa për dëmin e institucioneve publike duhet të merret Avokatura e Shtetit.
Braçe theksoi se duhet të veprohet njëlloj si për ndërmarrjet private ashtu edhe për ato publike, dhe se shërbimi i pastrimit është jetik. Ai kërkoi që fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të përdoret edhe për institucionet publike, dhe se duhet të evidentohen personat që kanë shkaktuar dëmet për të zbatuar parimin “kush dëmton paguan”. Ai shtoi se në këtë vend janë vrarë njerëz dhe se prej vitit 2011 askush nuk mban përgjegjësi.






