Samiti historik Trump-Xi-Putin, kush doli fitues nga takimi që mund të ndryshojë rendin botëror, katër përfundimet kryesore

20/11/2026 17:27

Takimi trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, liderit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, i zhvilluar më 19 nëntor në Shenzhen të Kinës, u cilësua si një ngjarje historike, por nuk prodhoi marrëveshje konkrete që mund të ndryshojnë zhvillimet ndërkombëtare.

Ky samit shënoi herën e parë që liderët aktualë të tri fuqive më të mëdha bërthamore u ulën së bashku në një takim trepalësh, pa praninë e udhëheqësve të tjerë.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë simbolike dhe politike, analistët vlerësojnë se secili prej tre liderëve kishte objektiva të ndryshme dhe se përfitimet nga ky takim nuk ishin të barabarta.

Sipas një analize të publikuar nga Radio Evropa e Lirë (REL), e mbështetur në intervista me akademikë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, nga samiti dalin katër përfundime kryesore.

Putin ishte fituesi më i madh i samitit

Për presidentin rus, Vladimir Putin, takimi përfaqësoi një mundësi të rëndësishme për të dalë nga izolimi diplomatik me të cilin përballet Rusia që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Pjesëmarrja në samitin e APEC-ut, për herë të parë që nga viti 2017, si dhe takimi i drejtpërdrejtë me Trumpin dhe Xi Jinping, i dhanë Putinit mundësinë të shfaqej sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare.

“Putini përfitoi shumë nga ky takim. Ai ishte fituesi më i madh i tij”, deklaroi Elizabeth Wishnick, eksperte për marrëdhëniet Kinë-Rusi në institutin amerikan CNA.

Edhe Sari Arho Havren, bashkëpunëtore në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara (RUSI), vlerësoi se izolimi i liderit rus u zbut ndjeshëm, të paktën në aspektin diplomatik dhe të imazhit.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte deklarata e përbashkët për paqen, ku tre liderët kërkuan uljen e rreziqeve bërthamore dhe forcimin e stabilitetit ndërkombëtar.

Deklarata përfshinte gjithashtu qëndrime kritike ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, e cila në mars të vitit 2023 lëshoi një urdhërarrest ndaj Putinit për dyshime për krime lufte në Ukrainë.

Po ashtu, tre vendet shprehën synimin për të rritur prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës, një zhvillim që mund t’i shërbejë edhe sektorit rus të energjisë, i cili përballet me vështirësi.

Xi Jinping arriti të vendosë Kinën në qendër të diplomacisë globale

Ndryshe nga Putini, lideri kinez Xi Jinping kishte më pak për të fituar nga ky takim, pasi Kina nuk përballet me të njëjtin izolim diplomatik apo vështirësi ekonomike si Rusia.

Megjithatë, për Pekinin ishte e rëndësishme të demonstronte aftësinë për të organizuar një takim të nivelit më të lartë me dy liderët e tjerë, pa lënë në hije samitin kryesor të APEC-ut.

Yun Sun, drejtoreshë e Programit për Kinën në Qendrën Stimson në Uashington, e cilësoi takimin si një sukses për Pekinin, duke vënë në dukje organizimin dhe koordinimin mes palëve.

Sipas saj, arritja e një deklarate të përbashkët mes tri fuqive nuk ishte e lehtë, por kompromisi ishte se dokumenti nuk përmbante angazhime të detajuara për çështjet kryesore.

Ndërkohë, Sari Arho Havren vlerësoi se Xi arriti atë që dëshironte, të tregonte se Kina është një nga vendet që përcakton agjendën e çështjeve globale.

Një nga temat e diskutuara ishte çarmatimi bërthamor. Xi u tregua i gatshëm të përfshihej në diskutim, por pa marrë përsipër angazhime konkrete.

Kina zotëron rreth 620 koka bërthamore, krahasuar me më shumë se 5 mijë që kanë secila SHBA-ja dhe Rusia. Për këtë arsye, Pekini e konsideron të parakohshme përfshirjen në negociata të tilla në të njëjtat kushte me dy fuqitë e tjera.

Trump përmbushi pritshmëritë, por nuk arriti përparime konkrete

Presidenti amerikan Donald Trump kishte hyrë në samit me objektiva relativisht modeste dhe, sipas analistëve, arriti t’i përmbushte ato.

Ross Darrell Feingold, avokat dhe analist i rrezikut politik me bazë në Taipei, tha se Trump dëshironte të demonstronte publikisht se po përpiqej të arrinte marrëveshje për kontrollin e armëve bërthamore me dy fuqitë e tjera dhe se këtë objektiv arriti ta realizonte në aspektin diplomatik.

Megjithatë, një nga çështjet që nuk gjeti zgjidhje ishte konflikti me Iranin.

Trump kishte shprehur dëshirën që kjo temë të diskutohej gjatë samitit, por ajo nuk u përfshi në deklaratën e përbashkët. As Putin dhe as Xi nuk bënë deklarata publike për këtë çështje gjatë takimit.

Sipas Feingold, Kina dhe Rusia nuk kanë interes të ndihmojnë drejtpërdrejt Trumpin për t’i dhënë fund konfliktit, por do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për paqe.

Megjithatë, një ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Tregtisë, i cili ka punuar për çështjet e Kinës, vlerësoi se Trump mund ta paraqesë takimin si sukses.

Ai theksoi se Xi arriti ta afronte presidentin amerikan përmes gjesteve simbolike, përfshirë pritjen me përqafim në aeroport.

Vetë Trump e cilësoi këtë gjest si një “fitore të madhe për ne” dhe shenjë të respektit të madh.

Fuqitë e mëdha nuk mund ta vendosin të vetme fatin e botës

Përtej simbolikës, samiti tregoi edhe kufijtë e ndikimit të fuqive të mëdha në konfliktet ndërkombëtare.

Një nga çështjet më të ndjeshme ishte lufta në Ukrainë. Para takimit, Ukraina dhe vendet evropiane kishin shprehur shqetësimin se Putini mund të përpiqej të negocionte një marrëveshje paqeje pa pjesëmarrjen e tyre.

Por një skenar i tillë nuk u materializua. Sipas analistëve, Kina nuk dëshiron të rrezikojë marrëdhëniet ekonomike me Evropën dhe ka interes të ruajë imazhin e saj si një fuqi neutrale.

Ndërkohë, pak para samitit, Ukraina kreu sulme me dronë dhe raketa ndaj Urës së Krimesë, duke shembur një pjesë të segmentit rrugor të saj.

Sipas Elizabeth Wishnick, ky veprim ishte një mesazh se konflikti nuk mund të zgjidhet pa përfshirjen e Ukrainës dhe liderëve evropianë.

Një tjetër zhvillim që tregoi kufijtë e diplomacisë ishte mungesa e një takimi mes Trumpit dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pavarësisht se presidenti amerikan kishte lënë të hapur mundësinë e një takimi.

Në përfundim, analistët vlerësojnë se samiti në Shenzhen do të mbahet mend më shumë për rëndësinë simbolike dhe pamjet e tre liderëve së bashku sesa për marrëveshjet konkrete.

Top Channel