Një pilulë e re për trajtimin e kancerit të pankreasit po konsiderohet si një nga përparimet më të rëndësishme në trajtimin e kësaj sëmundjeje prej dekadash, pasi në provat e hershme klinike ka arritur të zvogëlojë tumoret dhe, në disa pacientë, t’i bëjë ato të padukshme në skaner.
Bëhet fjalë për daraxonrasib, një medikament që merret çdo ditë dhe që, në kombinim me kimioterapinë, ka treguar rezultate premtuese te pacientët me kancer të avancuar të pankreasit, i përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Në provat klinike të fazës I/II, kanceri u bë i padetektueshëm në skaner te rreth 8% e pacientëve, ose një në 12 persona, që morën daraxonrasib së bashku me kimioterapinë, përcjell BBC.
Ndërkohë, tumoret ndaluan së rrituri në 90% të 61 pacientëve të përfshirë në studim, ndërsa pak më shumë se 60% patën zvogëlim të tumoreve ose zhdukje të tyre.
Megjithatë, mjekët theksojnë se ende nuk dihet se për sa kohë trajtimi mund ta mbajë sëmundjen nën kontroll dhe se rezultatet nuk duhet të konsiderohen si një kurë përfundimtare.
“Një përparim i jashtëzakonshëm”
Cancer Research UK e cilësoi rezultatin si “përparimin më të madh në dekada” për pacientët me kancer të pankreasit.
Dr. Sam Godfrey, nga kjo organizatë, tha për BBC se rezultatet janë jashtëzakonisht emocionuese, duke theksuar se medikamenti po arrin të ndërhyjë në një mekanizëm të kancerit që deri më tani ka qenë shumë i vështirë për t’u trajtuar.
“Ky medikament i ri ka gjetur një mënyrë për të trajtuar atë që deri më tani konsiderohej e patrajtueshme me ilaçe. Më në fund po shohim përparim në kancerin e pankreasit, një përparim që ka ardhur shumë më vonë nga sa duhej”, u shpreh Godfrey.
Kanceri i pankreasit është një nga format më të vështira të kancerit për t’u trajtuar dhe ka shkallën më të ulët të mbijetesës ndër kanceret e zakonshme në Britani. Kimioterapia mund të zvogëlojë tumoret, por shpesh sëmundja rifillon të zhvillohet.
Për shumicën e pacientëve me sëmundje të avancuar, mbijetesa matet me muaj dhe jo me vite. Mjekët shpresojnë se trajtimi i ri mund t’u japë pacientëve më shumë kohë, edhe nëse nuk arrin ta ndalojë përgjithmonë sëmundjen.
Studimi i ndoqi pacientët për një mesatare prej 18 muajsh dhe disa prej tyre nuk patën rikthim të kancerit gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, nevojiten studime më të gjata për të kuptuar nëse sëmundja mund të hyjë në remision dhe sa mund të zgjasë kjo gjendje.
Rezultate premtuese për mbijetesën
Dr. Wungki Park, nga Memorial Sloan Kettering Cancer Center në SHBA, i cili është i përfshirë në studim, tha se rezultatet deri tani janë jashtëzakonisht inkurajuese.
“Po fillojmë të shohim jo vetëm një përqindje më të lartë të përgjigjes së tumoreve ndaj trajtimit, por edhe përgjigje më të thella dhe një pothuajse dyfishim të kohëzgjatjes së kontrollit të sëmundjes, gjë që mund të përkthehet përfundimisht në mbijetesë më të gjatë”, deklaroi Park.
Daraxonrasib është një medikament i targetuar që vepron duke bllokuar disa mutacione të quajtura RAS, të cilat gjenden në shumicën e rasteve të kancerit të pankreasit dhe që nxisin rritjen e tumoreve.
Mutacione të ngjashme gjenden edhe në dhjetëra lloje të tjera kanceri, përfshirë atë të mushkërive dhe vezoreve, çka mund të hapë mundësi për përdorimin e këtij medikamenti edhe te pacientë të tjerë.
Dr. Godfrey shpreson që rezultatet e para pozitive në kancerin e pankreasit të mund të shtrihen edhe në trajtimin e formave të tjera të kancerit, por thekson se nevojiten prova më të gjata dhe rezultate të mëtejshme.
“Kanceri mund të rikthehet dhe, edhe nëse skanerët nuk tregojnë shenja të tij, nuk mund të jesh domosdoshmërisht i sigurt se je pa kancer, derisa të kalojë më shumë kohë”, tha ai.
Prof. Elena Garralda, kryetare e simpoziumit evropian të kancerit EORTC–NCI–AACR 2026, ku rezultatet po prezantohen për specialistët, vlerësoi se trajtimi i kombinuar mund të përmirësojë ndjeshëm mbijetesën e përgjithshme të pacientëve, si dhe kohën deri në rritjen e përsëritur të tumoreve.
Kanceri i pankreasit, një nga sëmundjet më vdekjeprurëse
Kanceri i pankreasit përbën rreth 3% të të gjitha rasteve të kancerit në SHBA dhe rreth 8% të vdekjeve nga kanceri, duke shkaktuar afërsisht 53 mijë viktima në vit.
Në Britani diagnostikohen rreth 11,500 raste të reja çdo vit, ndërsa rreth 10,200 persona vdesin nga kjo sëmundje.
Ndër personat e njohur që kanë humbur jetën nga kanceri i pankreasit është edhe aktori Alan Rickman, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, pesë muaj pas diagnostikimit.
Simptomat e sëmundjes mund të përfshijnë verdhëzën, kruajtjen e lëkurës, urinën me ngjyrë më të errët, jashtëqitjen me ngjyrë më të çelët, humbjen e pashpjegueshme të peshës, lodhjen dhe temperaturën.
